Këtë të premte është prezantuar Albanian Digital Solution Sh.A., një iniciativë e re që synon modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e inovacionit teknologjik në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u ndal te zhvillimi i teknologjisë dhe transformimi digjital, duke theksuar rolin që kjo kompani pritet të ketë në ekosistemin ekonomik dhe teknologjik të vendit.
“Nuk do të jetë një kompani që do synojë të hyjë edhe në sektorin privat. I cili sot është në kontrast dramatik me sektorin publik në këtë fushë. Ku Shqipëria sa shkëlqen në të gjitha klasifikimet ndërkombëtare për shërbimet digjitale, aq edhe nxin kur vjen puna sa sipërmarrja dhe sektori privat janë të familjarizuar dhe të integruar në botën e re të teknologjisë digjitale.
Kompanitë private do duhet të riimagjinojnë pozicionin e tyre në treg dhe të ri konceptojnë rrugën e të ardhmes së tyre, ashtu si ne.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që përbën një favor për këtë zgjidhje është edhe kapaciteti që do krijojë shteti në këtë mënyrë për të pasur përmes kësaj kompanie edhe zgjidhje që mund të kthehen më pas në module apo prototipe që mund të eksportohen.
Ministria e preku zgjidhjen për të cilën po punohet intensivisht për modelin inovativ për prokurimet publike me inteligjencë artificiale. AI ka hyrë në prokurimet publike.
Në këtë përpjekje jemi të angazhuar dhe të koordinuar me shumë shtete, me agjencitë apo strukturat që merren me shërbimet elektronike në shumë shtete. Është një përpjekje që besojmë shumë ta kthejmë në realitet. Do prodhojmë një produkt që të jetë i eksportueshëm.
Epoka e teknologjisë i jep mundësinë gjithkujt, kujdo, i pasur apo i varfër, në qendër apo në periferi, në fushë apo në mal, nëse vë në punë talentin si duhet, teknologjia të jep mundësinë”, u shpreh Rama.





