Komisioni Evropian ka kritikuar Turqinë për përjashtimin e Qipros nga takimet përgatitore në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP31), që do të mbahet në Antalia në nëntor, duke e cilësuar këtë sjellje të Ankarasë si “të papranueshme”.
Sipas raportimeve të Politico, qeveria turke ka përjashtuar Qipron nga disa takime joformale përgatitore gjatë muajve të fundit.
Ankara refuzon ose injoron kërkesat për takime dypalëshe të dërguara nga Qipro, megjithëse Nikozia përfaqëson aktualisht të 27 qeveritë e BE-së, pasi mban presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.
Shefi i Komisionit për Klimën, Wopke Hoekstra, deklaroi për Politico të enjten se sjellja e Ankarasë është e papranueshme “dhe nuk do ta pranojmë”. Ai theksoi gjithashtu: “Ose bashkëpunoni me 27 vendet, ose me asnjërin prej tyre”.
“Nëse synoni të organizoni një ngjarje ndërkombëtare, kjo duhet të jetë mbi çdo ndjeshmëri kombëtare që mund të keni,” shtoi zyrtari evropian.
Vlen të përmendet se Turqia nuk ka marrëdhënie diplomatike me Qipron. Komisioni u shpreh mbi këtë çështje edhe gjatë konferencës së sotme për shtyp të enjten.
“Ne kemi bërë të qartë se përjashtimi i një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara nga procesi përgatitor i konferencës COP31 nuk është i pranueshëm,” tha zëdhënësja Anna-Kaisa Ikonen. “Turqia na ka siguruar se Qipro nuk do të përjashtohet nga takimet përgatitore të ardhshme për COP31,” shtoi ajo.





