Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, atë të mbylljes së negociatave, një hap që konsiderohet vendimtar në rrugën drejt integrimit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, negociatori i integrimit, Enkelejd Musabelliu tha se kalimi i fazës së ndërmjetme për grup-kapitujt themelorë përbën një “gur themeli” që i hap rrugë përmbylljes së kapitujve negociues.
Sipas tij, ky është një proces voluminoz dhe gjithëpërfshirës që përfshin të gjithë administratën shtetërore.
Musabelliu u shpreh se synimi për mbylljen e të paktën 10 kapitujve brenda këtij viti është i arritshëm, duke pasur parasysh objektivin më të gjerë për përmbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027.
Sipas tij, procesi është transformues dhe sfidues, por administrata është e përgatitur për ta përballuar, ndërsa theksoi se anëtarësimi do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetesës për qytetarët.
INTERVISTA E PLOTË:
Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në procesin e anëtarësimit në BE, atë të mbylljes së negociatave. Si shikohet ky proces që është cilësuar historik nga qeveria jonë, por edhe nga Brukseli?
Enkelejd Musabelliu: Absolutisht, ky është një nga proceset më të rëndësishme për Shqipërinë. Kalimi i fazës së ndërmjetme për grup-kapitujt themelorë shënon një gur themeli kilometrik që i hap rrugë mbylljes së kapitujve. Është një proces shumë voluminoz dhe gjithëpërfshirës që përfshin të gjithë sektorët e shtetit, dhe administrata është gati për këtë hap historik.
Sot zëvendëskryeministrja Albana Koçiu është shprehur se synimi i vendit është të mbyllë të paktën 10 kapituj brenda këtij viti. Çfarë po bëhet për të arritur këtë objektiv?
Enkelejd Musabelliu: Ky është një objektiv i arritshëm, duke pasur parasysh synimin tonë madhor për të përmbyllur negociatat teknike brenda vitit 2027. Puna ndahet në dy kategori: transpozimi i plotë i legjislacionit europian dhe rritja e kapaciteteve të administratës. Kjo e dyta përfshin krijimin e institucioneve të reja, forcimin e atyre ekzistuese dhe investimin në sisteme dixhitale që do të ndërlidhen me ato të BE-së.
Sa sfidues është ky proces kur jemi vetëm 19 muaj larg fundit të vitit 2027, duke ditur se BE do na monitorojë nga afër dhe nuk mjafton vetëm ligji në letër?
Enkelejd Musabelliu: Ky është një nga proceset më transformuese dhe patjetër sfidues, por Shqipëria nuk e ka nisur këtë proces sot, e ka filluar që me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Tashmë jemi pranë finishit final, ku duhet të linjëzojmë sektorët e tregut dhe ekonomisë me ato të BE-së. Shtei, administrata publike është gati. Ky proces do të sjellë një transformim rrënjësor të cilësisë së jetesës për qytetarët.
Sa e rëndësishme është klima politike apo çfarë mund ta pengojë këtë proces?
Enkelejd Musabelliu: Klima politike aktualisht është shumë në favor të integrimit dhe zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Në këtë fazë, procesi është kryesisht i natyrës teknike, por faktori politik mbetet i rëndësishëm. Suporti në BE për anëtarësimin e Shqipërisë është gjithnjë në rritje dhe vullneti i administratës është çelësi i suksesit.
/vizionplus.tv





