Pas miratimit të raportit IBAR, Holanda, një prej vendeve kryesorë të Bashkimit Europian, paralajmëron Shqipërinë së procesi i anëtarësimit nuk është vetëm miratim i ligjeve të BE, por kërkon ndërtimin e institucioneve si në Bashkimin Europian.
Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, shfrytëzoi një tryezë të Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Institucionale, institucioneve të pavarura e shoqërisë civile për të theksuar mesazhin se pushteti dueht të japë llogari.
“Bashkimi Europian është ndërtuar mbi besimin; besim tek institucionet që të funksionojnë në mënyrë të pavarur; besim që pushteti jep llogari, besim që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë; besim që qytetarët kanë zë të qenësishëm në jetën publike. Ndaj grup-kapitulli i parë, Themeloret, ka rëndësi kaq shumë dhe është në thelb të procesit të negociatave. Prandaj dhe roli i Parlamentit është absolutisht qëndror; kriteri i parë për anëtarësimin është te keni një parlament të mirë. Mbikëqyrja parlamentare nuk është një pengesë për qeverisje efektive. Përkundrazi e përmirëson qeverisjen. Ndaj gjithëpërfshirja ka rëndësi”, tha ambasadori Reinout Vos.
Për herë të parë prej shtatorit të vitit të kaluar parlamenti ka një komisionin më vete për mbikëqyrjen institucionale; një komision që mbështetet edhe nga mazhoranca edhe nga demokratët. Opozita e mbështet pasi kërkon më shumë hapësirë për të kontrolluar qeverinë.
“Shpeshherë mekanizmat e kontrollit parlamentar kanë ekzistuar në letër por kanë pasur ndikim të kufizuar në korrigjimin e qeverisjes si dhe në rritjen e llogaridhënies së ekzekutivit çka është kërkesë që vjen nga të gjithë faktorët shoqërorë”, tha Ivi Kaso, nënkryetar i Komisionit për Mbiqkyrjen Institucionale.
Kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj është kujdesur që të sqarojë misionin e kësaj strutkure parlamentare përballë të gjithë atyre që e kanë akuzuar se komisioni do të përdoret për të kontrolluar SPAK-un apo sistemin e drejtësisë.
“Kontrolli parlamentar nuk është konflikt institucional. Mbikëqyrja parlamentare nuk është ndërhyrje. Llogaridhënia nuk cënon pavarësinë institucionale. Transparenca nuk është kundërshtare e pavarësisë”, tha Xhafaj.
Xhafaj, i cili një dekadë më parë udhëhoqi reformën në drejtësi garantoi se mbikqyrja e parlamentit nuk do të kthehet në kontroll
“Unë jam i vetëdijshëm se kontrolli parlamentar në përgjithësi dhe sidomos në rastin e institucioneve të pavarura është një nga balancat më delikate në çdo demokraci institucionale. Ne konsiderojmë të papranueshme përgjatë këtij priocesi komentimin e cështjeve konkrete apo cdo lloj ndikimi në vendimarrjet e tyre institucionale”, tha Xhafaj.
Por pavarësisht këtyre garancive, në takim ranë në sy karriget e caktuara për Këshillin e Lartë Gjyqësor e Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbetën bosh e përfaqësuesit e ktyre institucioneve munguan në takim.





