Zhvillimi urban në bashkitë e vendit do të futet në një fazë të re dhe për ta arritur këtë, qeveria prezantoi sot programin “Rilindja Urbane 2.0”, që përfshin një sërë ndërhyrjesh te cilat do të realizohen për të transformuar qytetet.
Përmes këtij programi, do të shtohen parkimet, veçanërisht në qytetet ku ka fluks lëvizjesh, ndërsa flota e transportit urban do të mbizotërohet nga mjetet elektrike.
“Do të ndërtojmë parkime për të siguruar akses në zonat urbane, janë 160 mijë metër katrorë sipërfaqe në 12 bashki që kanë potencial deri në 15 mijë poste parkimi, jo vetëm bashkitë me intesitetin urban, por edhe aty ku kemi flukse turistike. Një pikë tjetër është transporti publik, tashmë po trajtojmë një numër bashkish që do të jenë model i kësaj nisme, do të jetë i bazuar te autobusët elektrikë, pilotimi i parë nis në tremujorin e fundit, kjo do të jetë një mundësi transformimi rrënjësor në nivel lokal. Qeveria do të mbështesë për të kaluar barrierën e parë, investimin kapital, për të krijuar kapacitete”, tha Ervin Demo, ministër i Pushtetit Vendor.
Në fokus të rilindjes urbane do të jetë edhe riciklimi i mbetjeve apo edhe shtimi i hapësirave për komunitetin.
“Përmirësimi i mjedisit urban përmes mbulimit të plotë për menaxhimin e territorit. Po punojmë me bashkitë për sa i përket mbulimit 100% të territorit, por duke plotësuar standardet që do jenë detyruese si rrjedhojë e integrimit në BE, duke nisur me riciklimin por jo vetëm. Objektivi i tretë është rigjenerimi i ish-hapësirave industriale në asete për komunitetin, janë ish-fabrika që janë privatizuar ose janë pjesërisht të privatizuara, ose janë në pronësi shtet. Janë potenciale që duhet ti rikthehen komunitetit. Në fokus do të jenë shërbime parësore që i vijnë në ndihmë komunitetit, me ambiente sportive apo zona rekreative, duke parë me imtësi edhe zhvillimin lokal të ekonomisë, duke u orientuar drejt start up-eve të reja që mund të përdorin këto asete”, shtoi Demo.
Gjatë vitit 2026 do të ketë pilotim të programit në disa bashki, ndërsa në vitet 2027-2030 synohet që transformimi urban të marrë pamje të plotë.





