Në historinë e protestave kundër rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri, ndoshta më e njohura është ajo e Partisë Socialiste në 28 majin e vitit 1996, protestë e cila mbahet mend për shkak të dhunës që policia ushtroi mbi opozitën që kishte mbushur sheshin “Skënderbej”.
Protesta u zhvillua pas zgjedhjeve të 26 majit, të cilat nuk u kritikuan vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtar.
Në 26 majin e vitit 1996 Partia Demokratike fitoi 122 deputetë; Partia Socialiste dhjetë; Partia Republikane, tre vende; Partia e Ballit Kombëtar dy vende dhe 3 PBDNJ. Asokohe sistemi zgjedhor ishte miks mazhoritar plus proporcional. ODIHR në raportin final kritikoi presidentin Berisha i cili bëri ndarjen e zonave zgjedhore vetëm 45 ditë para zgjedhjeve pa konsultime me opozitën e pa transparencë. ODIHR kritikoi komisionin e ngritur për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit; komision i cili u ndaloi kandidimin në zgjedhje rreth 200 politikanëve.
Opozitës sipas vëzhguesve të ODIHR iu ndalua të zhvillonte mitingje në qytetet e mëdha përfshi edhe Tiranën. Ditën e zgjedhjeve komisionerët socialistë u tërhoqën nga procesi zgjedhor, i cili shënoi probleme edhe më të rënda.
Një ditë pas zgjedhjeve socialistët dhe aleatët e saj deklaruan se nuk do ta njihnin rezultatin e zgjedhjeve dhe thirrën mbështetësit në një protestë në 28 maj në sheshin “Skënderbej”.
Sipas raportit të Aministy International në atë protestë, policia ushtroi dhunë ndaj qytetareve dhe goditi disa prej figurave kryesore politike të opozitës; Namik Dokle e Servet Pellumbi nga Partia Socialiste, Neritan Ceka e Arben Imami nga Aleanca Demokratike e disa politikanë të tjerë.
Zgjedhjet 26 majit të vitit 1996 u bënë shkak edhe për përplasjen më të fortë të SHBA dhe presidentit Sali Berisha i cili deri në atë kohë kishte pasur mbështetjen e tyre.
Në 1 qershor të vitit 1996 Departamenti Amerikan i Shtetit, deklaroi se “Zgjedhjet ishin hap i madh prapa” nga votimet e mëparshme.





