“Miss Shqipëria 2026” ka nisur zyrtarisht turin e saj tradicional në qytetet turistike të Shqipërisë, një traditë që prej 28 vitesh e ka kthyer këtë format në një nga promovuesit më të rëndësishëm të turizmit, historisë dhe vlerave shqiptare përmes bukurisë dhe kulturës.
Destinacioni i parë i këtij edicioni ishte Divjaka, një nga vendet më të dashura për regjisorin dhe producentin Petri Bozo, i lidhur ngushtë edhe me rrënjët e prejardhjes së tij. Në bashkëpunim me Bashkinë e Divjakës, stafi i “Miss Shqipëria” organizoi edhe çeljen zyrtare të sezonit turistik në këtë zonë, e konsideruar ndër destinacionet më atraktive të vendit.
Natyra, qetësia, pylli dhe deti, së bashku me faunën e jashtëzakonshme të shpendëve dhe simbolikën e pelikanit kaçurrel, tërheqin mijëra vizitorë gjatë gjithë vitit. Madje, as pelikani i egër nuk i shpëtoi tundimit për t’u afruar pranë bukurisë së vajzave dhe për t’u bërë pjesë e atmosferës festive të çeljes së sezonit turistik në Divjakë.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të shumta të jetës publike dhe politike, mes tyre edhe drejtuesja politike e qarkut, znj.Belinda Balluku, e shoqëruar nga deputetë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Mbrëmja u shoqërua me ritmet e muzikës popullore myzeqare, vallet tradicionale dhe performancat e artistëve të njohur Devis Xherahu dhe Eranda Libohova. Ndërkohë, vajzat konkurrente zhvilluan prezencën e tyre të parë skenike, duke sfiluar dhe kërkuar mbështetjen e publikut deri në natën finale, që do të mbahet më 6 qershor në Odeonin e Pogradecit.





