Shqipëria ka marrë një tjetër hap në procesin e integrimit europian, pas kalimit të raportit IBAR në Këshillin e Ambasadorëve të BE-së, që e afron vendin më pranë mbylljes së kapitujve të negociatave.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, analisti Ergys Mërtiri e cilësoi këtë zhvillim si një lajm pozitiv për Shqipërinë.
Por, ai theksoi se përparimi në proces nuk lidhet domosdoshmërisht me përmbushjen e plotë të kushteve nga vendi.
Sipas analistit, përshpejtimi i negociatave është i ndikuar kryesisht nga rrethanat gjeopolitike dhe nevoja e Bashkimit Europian për të avancuar zgjerimin në rajon.
Mërtiri shtoi se kjo situatë krijon një mundësi që Shqipëria duhet ta shfrytëzojë sa më shpejt, pasi klima politike në Europë mund të ndryshojë në të ardhmen dhe procesi i zgjerimit mund të mos jetë më po aq i favorshëm.
INTERVISTA E PLOTË:
Sot Shqipëria mori një lajm pozitiv, kalimin e raportit të IBAR në Këshillin e ambasadorëve për miratim, çka do të thotë jemi një hap më afër procesit të mbylljes së kapitujve. Si ta lexojmë këtë vendim të Unionit?
Ergys Mërtiri: Po sigurisht që ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Është një lajm i mirë sepse problemi është që nuk është se Shqipëria plotëson ndonjë kusht. Mendoj unë arsyeja pse këto negociata po hapen, madje po përshpejtohen, është nevoja që ka BE-ja për të përshpejtuar rritmin e saj të zgjerimit dhe këto përshpejtime vijnë për shkak të rrethanave gjeopolitike të cilat ndoshta nuk do të jenë më. Kështu që ne duhet të bëjmë çmos që t’i kapim sa më shpejt stacionet sepse ndoshta nuk do të jetë më kjo klimë predispozite për t’u zgjeruar e cila po na i lehtëson çështjet. Kjo është lajm shumë pozitiv i cili vjen jo për meritë tonën, por për meritë të rrethanave në të cilat gjendet Europa.
Ndërkohë opozita pretendonte se ky raport ishte i bllokuar dhe nuk do të miratohej për shkak të korrupsionit të qeverisë. Megjithatë ndodhi e kundërta. A e rrëzon në një farë mënyre kjo retorikën e Berishës?
Ergys Mërtiri: Sigurisht kjo nuk rrëzon pohimet që thotë Berisha se kjo qeveri është e korruptuar. Tani vlen të dimë arsyet të cilat publikisht nuk i dimë sepse ka pasur një vonesë, megjithatë mendoj që këto arsye janë edhe çështje debatesh edhe çështje teknike ndoshta. Problemi që bën Berisha është që strategjikisht po e luan keq këtë çështje duke i faturuar Ramës suksesin apo mossuksesin e saj, gjë që do të thotë që nëse kjo rezulton me sukses atëherë Rama do të fitojë paletat e këtij procesi, të cilat mendoj që nuk i meriton t’i fitojë sepse ky proces nuk është për meritë të Edi Ramës. Berisha duhet të rreshtohej në krah të këtij procesi dhe t’i jepte vlerën e saj dhe opozitës.
Duket se ky vendim i Unionit ka sjellë një klimë më të mirë bashkëpunimi në Tiranë mes palëve. Si pritet të ndikojë më tej ky qëndrim në klasën tonë politike?
Ergys Mërtiri: Unë nuk besoj që kjo klimë bashkëpunimi vjen për shkak të këtij vendimi. Bashkëpunimi mes palëve nuk ka munguar me gjithë retorikën agresive, bipolare dhe të tensionuar në dukje. Në fakt palët këtu janë totalisht në mirëkuptim me njëra-tjetrën dhe ky tension i shtirur që palët luajnë në skenë, në fakt fsheh një marrëveshje, një bashkëpunim në prapaskenë. Tensioni në skenë i duhet të dyja palëve për të rritur kredencialet e tyre sepse ata mbajnë njëri-tjetrin në skenë nëpërmjet kësaj skeme bipolare.
Çfarë duhet të bëjnë qeveria dhe opozita bashkë që të përmbushen kushtet të nënvizuara në raport?
Ergys Mërtiri: Reformat duhen realizuar në funksion të të mirës së vendit, por deri tani nuk është parë ky vullnet. Për shembull, reforma elektorale e miratuar para dy vitesh në fshehtësi ishte një ligj elektoral i cili i dha Ramës 83 mandate dhe sigurisht që ky nuk është një lajm i mirë për demokracinë. Sot OSBE-ja ka kërkuar që reforma elektorale të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Sigurisht që të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë në funksion të më të mirës, ku niveli i përfaqësimit të jetë sa më i lartë dhe ku partitë e reja të kenë hapësirë që ta bëjnë multipolare skenën politike, sepse kështu ka më shumë frymë demokratike.
/vizionplus.tv





