Pas një vizite tre ditore në Gjermani, ku zhvilloi takime në Kancelarinë gjermane, Ministrinë e Jashtme, Bundestag, dhomat e tregtisë dhe organizata të shoqërisë civile, Jorida Tabaku deklaroi se në të gjitha diskutimet ishte e qartë se procesi i integrimit nuk shihet më si një procedurë teknike, por si një test real për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë.
Tabaku theksoi se propozimi i kancelarit Friedrich Merz për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor është vazhdimësi e vizionit të nisur nga Angela Merkel me Procesin e Berlinit dhe bazohet tek parimi i meritës.
“Ky është një proces merite. Kush realizon reforma ecën përpara, si Mali i Zi. Kush nuk i realizon ato, mbetet në vendnumëro,” deklaroi ajo.
Deputetja demokrate nënvizoi gjithashtu se integrimi kërkon gjithëpërfshirje politike, transparencë dhe zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke kritikuar qeverinë për mungesën e debatit real parlamentar dhe për proceset e mbyllura të miratimit të ligjeve.





