Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza zyrtare ndaj ish-udhëheqësit kuban Raul Castro, 94 vjeç, dhe zyrtarëve të tjerë, lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë në vitin 1996 nga ushtria kubane.
Në atë kohë, Castro shërbente si ministër i Mbrojtjes kur avionët e tipit Cessna, që u bënin pjesë e grupit të emigrantëve kubano-amerikanë, u goditën me raketa në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Si pasojë e sulmit mbetën të vrarë katër anëtarë të këtij grupi humanitar, mes të cilëve tre ishin shtetas amerikanë.
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se Castro përballet me akuza të rënda, përfshirë, katër akuza për vrasje me paramendim.
“Për gati tridhjetë vjet, familjet e katër amerikanëve të vrarë kanë pritur drejtësinë”, tha Blanche, duke shtuar se kjo është një histori e njohur e mungesës së llogaridhënies.
Ky vendim vjen në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po rrit presionin për një ndryshim regjimi në Kubë, ku komunistët udhëheqin që nga revolucioni i Fidel Castros në vitin 1959.
“Amerika nuk do të tolerojë një shtet mashtrues që strehon operacione armiqësore ushtarake, të inteligjencës dhe terrorit vetëm nëntëdhjetë milje larg atdheut tonë”, deklaroi Trump.
Nga ana tjetër, Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel këmbënguli se ishulli nuk përbën asnjë kërcënim për SHBA-në.
Sanksionet e rrepta amerikane mbi furnizimin me karburant kanë shkaktuar ndërprerje të shumta të energjisë elektrike, duke e çuar Kubën në krizën e saj më të rëndë ekonomike në dekada.





