Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë një shtet të izoluar dhe armiqësor” si Kuba, duke akuzuar Havanën se lejon aktivitete ushtarake, spiunazhi dhe terroriste të huaja shumë pranë territorit amerikan.
Duke folur për situatën në Kubë, Trump tha se Uashingtoni nuk do të ndalet derisa populli kuban të arrijë “lirinë”.
“SHBA nuk do të tolerojë një shtet të izoluar që strehon operacione ushtarake, spiunazhi dhe terroriste vetëm 90 milje nga territori amerikan. Nuk do të qetësohemi derisa populli i Kubës të ketë liri”, u shpreh ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur administrata amerikane ka shtuar presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Kubës, përfshirë edhe qëndrime të ashpra nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili ka propozuar një “marrëdhënie të re” me popullin kuban dhe ka kritikuar ashpër qeverinë e Havanës për krizën ekonomike në vend.
Rubio ka akuzuar strukturat ushtarake që kontrollojnë ekonominë kubane se dominojnë mbi shumicën e sektorëve kryesorë dhe përfitojnë në kurriz të popullsisë, ndërsa ka theksuar se ndihma amerikane duhet të shkojë drejtpërdrejt te qytetarët dhe jo përmes institucioneve të lidhura me regjimin.
Sipas tij, situata aktuale në Kubë është rezultat i keqqeverisjes dhe jo mungesës së burimeve, ndërsa SHBA ka paralajmëruar edhe ashpërsim të mëtejshëm të sanksioneve ndaj Havanës.
Administrata amerikane vazhdon të mbajë qëndrim të fortë ndaj Kubës, mes krizës së thelluar ekonomike në ishull dhe rritjes së pakënaqësive sociale.





