Teksa takimi shumë i pritur mes Donald Trump dhe Xi Jinping po afrohet në Pekin, vëmendje të madhe ka tërhequr lajmi se një tanker kinez me dy milionë fuçi naftë bruto irakiane kaloi sot nëpër Ngushticën e Hormuzit, me të gjitha pasojat që kjo mund të sjellë.
Konkretisht, tankeri “Yuan Hua Hu” ka ankoruar në Gjirin e Omanit, pranë zonës ku marina amerikane ka vendosur bllokadë ndaj anijeve iraniane.
Sipas Reuters, kjo është anija e tretë kineze që kalon nëpër Ngushticë që prej 28 shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit.
Irani ka arritur marrëveshje me Irakun dhe Pakistanin për t’u lejuar transportimin e gazit natyror të lëngshëm nga rajoni. Ndërkohë, edhe vende të tjera po përpiqen të realizojnë marrëveshje të ngjashme.
Presidenti amerikan Donald Trump u prit me ceremoni madhështore në Pekin, ku mbërriti për samitin me presidentin kinez Xi Jinping.
Trump kishte dhënë sinjale të qarta për objektivat e kësaj vizite. “Do t’i kërkoj presidentit Xi, një lider i jashtëzakonshëm, ta ‘hapë’ Kinën, në mënyrë që këta njerëz brilantë të mund të bëjnë mrekullitë e tyre dhe ta ndihmojnë Republikën Popullore të arrijë një nivel edhe më të lartë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Trump zbuloi se ky do të jetë “kërkesa e tij e parë” gjatë takimit me liderin kinez. “Nuk kam parë dhe as dëgjuar ndonjë ide më të dobishme për vendet tona”, theksoi ai.
Irani, tema kryesore në axhendë
Një nga temat dominuese të samitit pritet të jetë lufta në Iran. Kina po përballet me presion në rritje nga SHBA-ja për të përdorur ndikimin e saj ekonomik dhe politik ndaj Teheranit. Dy vendet kanë një aleancë që daton prej dekadash dhe Pekini mbetet partneri më i madh tregtar i Iranit.
Nuk ka dyshim se Kina dëshiron përfundimin e këtij konflikti. Ekonomia kineze po përballej tashmë me ritme më të ngadalta rritjeje dhe papunësi më të lartë, kur tarifat e vendosura nga Trump vitin e kaluar tronditën tregjet. Edhe pse ekonomia kineze ka treguar rezistencë, konflikti në Lindjen e Mesme po sjell pasoja të reja, pasi rritja e çmimeve të naftës po ushtron presion mbi kostot e prodhimit industrial.
Kina ka mbështetur planin paqësor të Pakistanit, në kuadër të përpjekjeve të saj të kujdesshme për ndërmjetësim, ndërkohë që përpiqet të shmangë përfshirjen direkte në konflikt.
Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë iraniane deklaroi sot se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit nga Teherani mund t’i sjellë vendit “përfitime të konsiderueshme” ekonomike dhe të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Iranit.
Bllokimi i kësaj rruge strategjike detare, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë, ka tronditur tregjet ndërkombëtare që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme dhe i ka dhënë Teheranit një levë të fuqishme gjeopolitike.
SHBA-ja vazhdon të mbajë bllokadën ndaj porteve iraniane, pavarësisht armëpushimit të brishtë që hyri në fuqi më 8 prill.
“Kontrolli ynë mbi Ngushticën e Hormuzit do t’i sjellë vendit të ardhura të mëdha ekonomike. Madje, mund të dyfishojë të ardhurat tona nga nafta dhe të forcojë ndikimin tonë në skenën ndërkombëtare”, deklaroi Mohammad Akraminia, zëdhënës i ushtrisë iraniane, sipas agjencisë shtetërore Isna.
Ai shtoi se pjesa perëndimore e Ngushticës kontrollohet nga forcat detare të Gardës Revolucionare, ndërsa pjesa lindore monitorohet nga marina iraniane.
Kontrolli i Iranit mbi këtë korridor detar mbetet një nga pengesat kryesore në negociatat për përfundimin e luftës me SHBA-në, negociata që deri më tani nuk kanë sjellë ndonjë përparim të rëndësishëm.





