Problemet e shëndetit mendor po rriten gjithnjë e më shumë në popullatë. Sipas mjekëve psikiatër, kjo lidhet me disa faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe psikologjike të individëve.
“Faktorët kryesorë janë jetesa e përditshme, streset e jetës, jeta që është bërë më e shpejtë, përdorimi i drogës, sidomos te moshat e reja”, thotë Fiorela Gora, mjeke psikiatre.
Edhe pse ende shumë persona hezitojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të frikës nga paragjykimi, mjekja psikiatre Fiorela Gorea thotë se nuk mungojnë rastet e qytetarëve që drejtohen për konsultë tek specialistët e shëndetit mendor.
“Moshat që na drejtohen më së shumti janë dhe moshat e reja. Janë ata që kanë edukatën dhe informacionin e duhur për të kërkuar ndihmë”, thotë mjekja.
Bluzat e bardha japin disa këshilla për rritjen e kujdesit ndaj shëndetit mendor.
“Të praktikojmë një jetë sa më të shëndetshme, larg streseve të përditshme, të praktikojmë sport, shëtitje në natyrë aq sa mundemi”, thotë mjekja.
Sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë 1 në 8 persona në botë jeton me një çrregullim të shëndetit mendor. Depresioni, ankthi dhe çrregullimet e tjera psikologjike po shënojnë rritje të vazhdueshme, sidomos pas pandemisë, duke e kthyer shëndetin mendor në një nga sfidat më të mëdha globale të kohës sonë.




