Xhoela Bame, e reja nga Korça që prej vitesh jeton dhe punon në Amerikë dhe Angli, është përzgjedhur nga Forbes në listën prestigjioze “30 Under 30”, si një nga 30 të rinjtë me ndikim të jashtëzakonshëm në botë në fushën e shkencës dhe mjekësisë.
“Forbes seleksionon 30 talentet më të talentuara. Përzgjedhja ime ka qenë në fushën e shkencës dhe mjekësisë për punën time kërkimore në rigjenerimin e trurit. Pra mekanizmat që çojnë në plakjen e trurit dhe mjekimet për ta rigjeneruar atë”, tha Xhoela Bame.
Përfshirja në listën e Forbes konsiderohet një arritje e rrallë për shqiptarët, sidomos në fushën e shkencës, ndaj për Xhoelën ky vlerësim është edhe një krenari kombëtare.
“Është një sukses i madh. E bukura e të qenurit në shkencë është për Shqipërinë. Shqipëria njihet në botë për art, por në shkencë jo. Është krenari. Të pasurit një punë që nuk sjell përfitime personale, por për gjithë shoqërinë, është fitore jo vetëm për mua, por për gjithë fushën e shkencës që është pas laboratorëve”, shtoi ajo.
Ndërkohë, studiuesja shqiptare po punon edhe në një projekt tjetër të rëndësishëm, këtë herë në fushën e rigjenerimit të zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, në bashkëpunim me University of Oxford. Me sukseset e saj në kërkimin shkencor dhe me vlerësimin nga Forbes, Xhoela Bame po dëshmon se talenti shqiptar mund të lërë gjurmë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.




