Vetëm në klasën e tretë, Odioni, nxënës i shkollës “Sami Kalasa” në Tiranë, ka botuar librin e tij të parë, duke shënuar nisjen e rrugëtimit të tij në botën e krijimtarisë. Odioni ka zgjedhur që kopjet e para t’ia dhurojë bibliotekës së shkollës, me dëshirën që historia e tij të lexohet edhe nga shokët e klasës.
“Unë jam frymëzuar të bëj këtë libër nga robotët, sepse sot janë shumë të pranishëm në jetën e njerëzve dhe doja t’i fusja edhe në historinë time. Libri flet për dy fëmijë që mposhtin një skuadër robotësh të këqinj bashkë me komandantin. Shokët dhe mësueset e pritën shumë mirë librin dhe më thanë që ishte shumë i bukur. Tani jam drejt përfundimit të një libri tjetër me titull “Helia dhe aventurat e saj””, tha Odion Dafku, nxënës.
Odioni tregon se librat i shkruan fillimisht në fletoren e shënimeve të cilën e merr me vete kudo.
“Më pëlqejnë historitë me superheronj, robotë dhe aventura. Unë fillimisht i shkruaj në një fletore dhe më pas i çoj në shtëpinë botuese që të bëhen libër.Mami dhe babi më kanë mbështetur shumë dhe më kanë thënë të vazhdoj të shkruaj edhe libra të tjerë. Lexoni libra, sepse libri është shoku juaj më i mirë”, tha ai.
Talenti i Odionit është vënë re që në vitet e para të shkollës. Mësuesja kujdestare, tregon se ai spikati herët, për imagjinatën dhe dëshirën për të krijuar histori.
“Që i vogël kuptohej se nuk mjaftohej me detyrat e zakonshme, por kërkonte gjithmonë të bënte më shumë.Kur nxënësit e tjerë shkruanin disa fjali, ai filloi të krijonte tregime të plota. E motivova vazhdimisht që ta zhvillonte këtë talent dhe ai e priste me shumë dëshirë çdo detyrë krijuese.Ajo që më bënte përshtypje ishte fantazia e tij. Edhe shokët e klasës e dëgjonin me shumë vëmendje dhe e duartrokisnin sa herë lexonte historitë e tij.Kur pashë shkrimet e para, i sugjerova prindërve që ta mbështesnin për ta kthyer në një libër. Sot ndihem shumë krenare që emri i një nxënësi të klasës së tretë ndodhet në kopertinën e një libri”, tha Valbona Lloçi, mësuesja kujdestare.
Në një kohë kur fëmijët kalojnë gjithnjë e më shumë kohë para ekraneve, historia e Odionit sjell një shembull frymëzues për dashurinë ndaj leximit dhe krijimtarisë.




