Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu kundërpërgjigj kryeministrit Edi Rama në lidhje me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Përballë qëndrimeve të kryeministrit Rama, Berisha vendosi raportin e komitetit të jashtëm të Parlamentit Evropian, duke deklaruar se ky dokument tregon se cilat janë pengesat e vërteta në rrugën e integrimit.
“Në këtë raport theksohet se heqja e imunitetit duhet të bëhet pa asnjë pengesë dhe me përparësi, ndërkohë që Lubi Balluku vazhdon sot e kësaj dite të jetë zëvendëskryeministre në hije, me të gjitha funksionet e saj. Raporti dënon rrokullisjen e Shqipërisë në korrupsion, 9 vende më poshtë se sa ishte, natyrisht, dhe mburojën që Edi Rama u bëri Lindave të tij të AKSHI-t”, tha Berisha.
Berisha këmbënguli se miratimi i raportit të piketave të ndërmjetme është bllokuar nga vendet anëtare dhe kushtet po shtohen për Shqipërinë.
“Ai nuk shqiptoi një fjalë të vetme për raportin IBAR dhe Coelho, që e ka, që po e shqyrton atë raport, shumë e shumë herë, pa rënë dakord për variantin përfundimtar të tij, por duke shtuar gjithnjë e më shumë kushte dhe kërkesa nga vendet anëtare prej Shqipërisë, qysh prej 5 muajsh gjer sot”, shtoi Berisha.
Prej datës 5 maj që Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi raportin për Shqipërinë, opozita ka shfrytëzuar këtë dokument për të deklaruar se shqetësimet e saj janë edhe shqetësimet e Brukselit.




