Më shumë turistë të organizuar kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri këtë verë.
Sipas tur-operatorëve, fluturimet charter kanë një rritje me rreth 20% në raport me një vit më parë, ndërsa harta e turistëve që zgjedhin vendin tonë është e larmishme.
“Rezeverimet janë mbi pritshmëritë, kur ata kanë një kërkesë të shtuar, thonë që a mund të shtojmë një avion plus apo a e akomodojmë dot, nëse ka kapacitete. Ka një rritje edhe për shkak të ngjarjeve në Gjirin Persik dhe një pjesë e turistëve, europianë kryesisht, më mirë pranuan që të orientohen drejt Shqipërisë. Me 14 maj do të nisin fluturimet e para. Vijnë polakët, çekët, sllovakët, baltikët, spanjollët, portugezët, gjermanët. Ka rritje në të gjitha linjat ku operohet drejtpërdrejt me Shqipërinë”, tha Rrahman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar.
Për të dytin sezon me radhë, operatorët turistikë janë vënë në vështirësi me kontratat e lidhura për aeroportin e Vlorës pasi ai nuk është ende funksional.
“Ne kontratat i kemi lidhur para një viti dhe kemi 7 fluturime që i kishim llogaritur për aeroportin e Vlorës, 7 avionë charter, që nuk do të realizohen. Me shumë sforco, i kemi kaluar në aeroportin e Tiranës, por kjo ka shkak-pasojë sepse turistët e kanë blerë paketën për aeroportin e Vlorës dhe jo të Tiranës. Disa tërhiqen pa penalitet dhe kjo ka sjellë një lloj anomalie, duke ndikuar te dhomat bosh te hotelet. Kjo sjell edhe kosto shtesë për transfertat që duhet t’ju bëjmë turistëve sepse në paketë ne e kishim menduar nga aeroporti i Vlorës, ndërsa tani duhet të zgjidhim transportin e tyre nga aeroporti iTiranës, pa i tarifuar shtesë”, u shpreh Rrahman Kasa.
Fluturimet charter drejt Shqipërisë do të vazhdojnë deri në tetor, ndërsa paketat turistike të ofruara, sipas tur-operatorëve nuk kanë pësuar rritje çmimesh.





