Është lançuar zyrtarisht programi strategjik EU4Municipalities II, një nismë që synon të forcojë pushtetin vendor në Shqipëri dhe të mbështesë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Programi parashikon investime konkrete në bashki, rritje të kapaciteteve administrative dhe modernizim të shërbimeve publike, me qëllim përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi programin si një investim strategjik të Bashkimit Europian, që nuk synon vetëm mbështetje financiare, por kryesisht rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të vendit në BE.
Sipas tij, programi lidhet drejtpërdrejt me modernizimin e institucioneve vendore dhe me forcimin e kapaciteteve njerëzore, të cilat ai i cilësoi si një nga sfidat më të mëdha të kohës.
Ai u shpreh se integrimi në Bashkimin Europian përfaqëson njëkohësisht “bekim dhe sfidë” për Shqipërinë, veçanërisht në nivel vendor, ku konsolidimi i bashkive është thelbësor për funksionimin e duhur të marrëdhënieve me institucionet evropiane.
Rama: Ky është një projekt që nuk mëshiron thjesht një mbështetje financiare, por përbën një investim strategjik të BE-së për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një program i cili lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe me mundësinë që përmes tij institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë në rast se nuk fokusohemi me të gjithë forcën sot tek adresimi i tij. BE dhe anëtarësimi në familjen evropiane janë një bekim për Shqipërinë. Nga ana tjetër janë dhe një sfidë e madhe, posaçërisht në nivelin vendor pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pandarë dhe e patjetërsuseshme e mënyrës së funksionit dhe për mirëfunksionimin e marrëdhëneive mes BE-së dhe një vendi anëtar.
Sipas kryeministrit, një nga sfidat kryesore për vendet anëtare dhe ato në proces anëtarësimi është aftësia për të thithur dhe menaxhuar mbështetjen e BE-së në mënyrë efektive. Në këtë kuadër, ai e cilësoi programin si kyç për rritjen e kësaj aftësie.
Rama shtoi gjithashtu se fondi fillestar prej 11 milionë eurosh nuk duhet parë vetëm si shumë financiare, por si pjesë e një instrumenti më të gjerë që synon të nxisë angazhimin e bashkive dhe të sigurojë akses të plotë të tyre në program.
Në përfundim, ai theksoi se synimi është që të shfrytëzohet maksimalisht potenciali i këtij programi për të gjitha bashkitë në vend.
Rama: Një sfidë për vendet anëtarë është që të kenë aftësinë të thithin mbështetjen e BE-së përmes dijes se si ta bëjnë këtë. Në këtë pikë ky program është kyç. Nuk janë 11 milionë eurot e para thjesht si një shumë, por është i gjithë instrumenti dhe mënyra se si është i ndërtuar që t’i bëjë bashkitë të angazhuara që të kenë akses në këtë instrument. Ne do të bëjmë më të mirën dhe do nxjerrim nga ky potenvcial maksimumin për të gjitha bashkitë tona.





