Alma Tafani, gruaja e Nikolin Jakës, është shpallur në kërkim nga policia pasi është arratisur pas skandalit ku firma e saj private helmoi 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, duke iu ofruar ushqime jashtë çdo lloj standardi dhe të rrezikshme për konsumatorët.
Pas kontrollit në banesën e saj, efektivët kanë marrë në pyetje familjarët e Alma Tafanit, të cilët kanë thënë se kjo e fundit është larguar jashtë Shqipërisë për arsye pune.
Por burime bëjnë me dije se referuar sistemit “TIMS” Alma Tafani ndodhet në Shqipëri dhe nuk është larguar jashtë vendit, por ndërkohë ajo po fshihet për t’ju shmangur drejtësisë dhe akuzave të ngritura ndaj saj.
Nga ana tjetër, Nikolin Jakaj, bashkëshorti i Alma Tafanit, pritet që të merret në pyetje nga Prokuroria në lidhje me hetimet për zbardhjen e skandalit me sigurinë ushqimore që ofron kompania e tyre “Sori-Al”.
Kjo kompani prej disa kohës kishte lidhur një kontratë me Akademinë e Sigurisë ku ofronte në formën e kateringut tre vaktet e ushqimit për studentët, ushqime që sipas vetë studentëve ishin jashtë standardeve për tu konsumuar. Madje shumë prej tyre janë ankuar për paketat me ushqim të “Sori-Al”, por duke mos patur mundësi tjetër janë detyruar t’i konsumojnë.
Referuar dosjes hetimore, Vizion Plus mëson se janë marrë në pyetje edhe dy personat e arrestuar, kuzhinieri i “Sori-Al” Kujtmi Ballgjini dhe Kristjana Plaka me detyrë teknologe e ushqimit pranë kësaj kompanie. Ata kanë thënë përpara grupit hetimor se nuk kanë lidhje me helmimin e studentëve, por ushqimet janë gatuar në bazë të menysë dhe produkteve të sjellja nga vetë kompania “Sori-Al”.
Në pyetje janë marrë dhe mjekët e spitalit infektiv, Najada Çomo dhe Edmond Puca të cilët kanë konfirmuar se helmimi i 56-studentëve ka ardhur si pasojë e ushqimit. Alma Tafani akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, ku sipas Kodit Penal rrezikon deri në 10 vite burg.





