Një atentat me armë zjarri ka tronditur qytetin e Sarandës mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Gjashtës, në Sarandë dhe viktimë ka mbetur pronar i një pike karburanti në zonë,66-vjeçar, i identifikuar si Rexhep Ismaili.
Ismaili mësohet se është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë një plumb në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima mendohet se ndodhej në ambientet e biznesit të tij në momentin e atentatit.
Policia sqaron se konflikti mes disa personash nisi fillimisht me sende të forta dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armëve.
Përveç Rexhep Ismailit, i cili u vra, edhe një person tjetër mbeti i plagosur, por që nuk është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit, shtetasin Lulzim Tabaku, i cili pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me disa persona të tjerë, duke përfshirë këtu edhe atë që mbeti i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
/vizionplus.tv






