Kuvendi u mblodh dje në seancën plenare të radhës ku u miratuan katër projektligje, një akt normativ dhe gjashtë projektvendime. Seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, pas ndarjes së tij nga jeta.
Edhe pse opozita kërkoi gjatë gjithë ditës praninë e kryeministrit Edi Rama për interpelancat e thirrura nga deputetët demokratë, kreu i qeverisë mbërriti në Kuvend vetëm në fund të seancës, pas mesnate, për procesin e votimit. Megjithatë, Rama u largua më pas pa marrë pjesë në votimin e një prej projektvendimeve të rendit të ditës.
Në qendër të debatit të së enjtes ishte Akti Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”, i prezantuar nga ministri i Financave, Petrit Malaj. Ky akt normativ u miratua me 85 vota pro dhe 25 kundër.
Mazhoranca socialiste rrëzoi ndërkohë të gjitha propozimet e opozitës që synonin uljen e çmimit të karburanteve. Partia Demokratike kishte propozuar reduktimin e taksës së qarkullimit, uljen e akcizës mbi naftën, si dhe zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”.
Projektligjet e opozitës u rrëzuan
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’”, i propozuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u rrëzua me 82 vota kundër dhe 26 pro. Po ashtu, u rrëzua edhe projektligji tjetër për ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, me 85 vota kundër dhe 25 pro.
Ndërkohë, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’” nuk mori mbështetjen e mazhorancës dhe u rrëzua në votim. Edhe projektligji “Për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse”, i prezantuar nga deputeti Eno Bozdo, u hodh poshtë me 84 vota kundër dhe 25 pro.
Sjellim ndërmend se seanca e djeshme plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.
Më pas, Kuvendi zhvilloi interpelanca me përfaqësues të qeverisë. Interpelanca e kërkuar me kryeministrin Rama nga deputetët e PD-së iu delegua ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Kjo gjë nuk u prit mirë nga opozita dhe kjo pikë u shoqërua me debate. Gjithashtu u zhvillua një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
Gjatë seancës u miratuan edhe disa projektligje të tjera, mes tyre marrëveshja për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi–Shqipëri 2021–2027, ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë”, si dhe projektligji për identifikimin elektronik dhe portofolin e identitetit digjital.
Kuvendi votoi gjithashtu një sërë projektvendimesh për institucione të pavarura. Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner i Zyrës së Avokatit të Popullit në Seksionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës trajtimit ose dënimit të egër çnjerëzor ose poshtërues.
Alma Faskaj u zgjodh Komisionere e Zyrës së Avokatit të Popullit në seksionin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, ndërsa Genta Tafa u zgjodh Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Merita Bejtja mori miratimin si Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë.
Projektvendimi “Për miratimin e listës së audituesve ligjorë, të cilët do të bëjnë auditimin e llogarive financiare për vitet 2024-2025 të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, u miratua me 105 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim. Kështu u zgjodhën: Edlira Buzani dhe Rajmonda Reveli.
Projektvendimi për strukturën dhe organikën e ERRU-së u miratua me 84 vota pro dhe 24 kundër, por kryeministri Rama ishte larguar nga salla pa marrë pjesë në votim.
Punimet e seancës plenare u mbyllën rreth orës 00:35 pas mesnate.
/vizionplus.tv





