Ndonëse njihet si një ndër zonat me prodhimin më cilësor të vajit të ullirit në vend, Mallakastra po përballet me sasi të mëdha stok në depot e fermerëve. Sezoni që kaloi shënoi një prodhim të mbarë dhe me cilësi të lartë, por mungesa e tregut e bëri të pamundur shitjen e vajit të ullirit.
“Ne e mbollëm tokën dhe e patëm grurë e misër. Serat i kemi vaditur, dhe tokën e kemi të mira. I mbollëm ullinj po prapë nuk patëm fitim, apeli është ky që të kemi më shumë treg, nëse tregun na e sigurojnë ne kaq duam, mos na iki prodhimi kot.”
Sipas kultivuesve, për vajin e ullirit, që është dhe baza e të ardhurave familjare duhen pika grumbullimi dhe mbështetje nga shteti për të krijuar dhe markën e zonës, pasi vetëm në këtë mënyrë do i hapej rruga eksportit.
“Në rast se do ketë tregje dhe do punohet duke na lidhur me një firmë që të na i marri, jo vetëm ne po dhe në fshatra të tjerë në mbarë vendin, ku prodhohet vaj ulliri atëherë lidhen kontrata, vihet një çmim dhe ne e dimë sa prodhojmë. E dimë që do ketë këtë çmim dhe do punojmë për kaq. Unë sot punoj dhe nuk di ku e çoj prodhimin.”
Kostoja e lartë e punës, që nga kujdesi fillestar e deri te procesi i përpunimit në fabrikë e bën të pamundur shitjen e vajit të ullirit nën kosto – thonë fermerët,- ndërsa theksojnë se nëse situata mbetet e pandryshueshme, do të heqin dorë përfundimisht nga kultivimi i kësaj kulture që për vite me radhë shtylla e ekonomisë lokale.





