Mbrëmjen e djeshme në ekranin e Vizion Plus u transmetua nata e 12-të e spektaklit “Ferma VIP 3”, një tjetër prime që konfirmoi dinamikën e fortë të këtij formati, mes tensioneve, përplasjeve të drejtpërdrejta dhe dy eliminimeve që ndryshuan lojën.
Dona ishte fermerja e parë e cila u largua nga gara si më e votuara nga publiku për të dalë, pas nominimit që erdhi nga humbja e sfidës së të premtes. Një garë e fortë mes fermerëve kishte çuar në nominim disa prej emrave më aktivë të shtëpisë, duke rritur ndjeshëm tensionin gjatë gjithë javës.
Por kjo nuk ishte e vetmja dalje. Një situatë e papritur brenda natës çoi në hapjen e një televotimi emergjent mes Adionit dhe Mozës, pas një përplasjeje gjatë një loje.
Një sfidë që duhej të ishte argëtuese u kthye në konflikt, kur një veprim i Adionit u pasua nga reagimi i Mozës, duke agravuar situatën. Adioni deklaroi se ndihej i dhunuar, ndërsa produksioni vendosi t’ia lërë vendimin publikut. Në përfundim të televotimit, ishte Adioni ai që u largua nga gara, duke shënuar eliminimin e dytë të mbrëmjes.
Ndërkohë, debatet nuk u mbyllën aty. Një deklaratë e fortë e Mozës ndaj Olës dhe Gresës shkaktoi reagime të menjëhershme ku situata u përshkallëzua në debate të forta. Përplasja vijoi edhe në dhomën e ndenjes, ku vajzat u përballën me njëra-tjetrën dhe me opinionet e panelit.
Mes gjithë tensionit, prime solli edhe momente të forta emocionale. Sara Karaj, përjetoi një surprizë prekëse. Pas rrëfimit të historisë së saj të dashurisë, ajo u surprizua me një video të përditshmërisë së fëmijëve të saj, duke sjellë lot dhe emocione. Kulmi i këtij momenti ishte takimi me bashkëshortin, në një ambient simbolik që rikrijonte kujtimin e njohjes së tyre në shkollën “Fan Noli”.
E siç e do tradita e këtij formati, në mbrëmjen e 12 nuk munguan as sfidat. Një sfidë e parealizuar plotësisht bëri që fermerët të fitonin vetëm, 13% buxhet, çka duket se do të sjell të tjera vështirësi në fermë.
Ndërkohë një televotim është hapur për të premten ku publiku ka në dorë se cilin prej fermerëve mes Dj Bujakës, Fabiolës, Gresës, Ilirit, Indrit, Mozës, Romirit dhe Sonit do të duhet të shpëtojë.
Nata e 12-të e “Ferma VIP 3” u mbyll kështu me dy eliminime, tensione të hapura dhe emocione të forta, duke lënë pas një javë që pritet të ndikojë ndjeshëm në strategjitë dhe marrëdhëniet mes fermerëve në vijim.





