Hoxha: Integrimi, në rrugën e duhur. Ministri i Jashtëm kërkon dakordësi mes palëve politike për reformat

Miratimi i raportit të vitit 2025 për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, tregon qartë se Shqipëria po ecën me hapat e duhur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha nga Shkodra, pranoi se ka ende punë për të bërë ndersa vuri theksin tek dakordësia mes palëve politike, për një objektiv që sipas tij e kërkon i gjithë vendi.
“Kemi shumë gjëra për të bërë. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar por në thelb, ajo rezolutë vërteton edhe një herë rrugën e drejtë në të cilën jemi, progresin e padiskutueshëm, shkallën e bërjes së realizimit dhe rijetësimit të reformave dhe nevojën për të bërë më shumë dhe më mirë. Ne kemi një fat të mirë në Shqipëri, që mbështetja mbarëkombëtare për tu bërë pjesë e Europës është e lartë, megjithatë ne duhet të ulim zhurmën dhe të rrisim dakordësinë me njëri-tjetrin”, tha ministri.
Kryediplomati siguroi se vendi do të vijojë reformat për të sjellë rezultate konkrete për qytetarët dhe për të çuar përpara integrimin europian.




