Masat e sigurisë për presidentin rus Vladimir Putin janë forcuar ndjeshëm, mes shqetësimeve për një atentat të mundshëm apo edhe një grusht shteti. Sipas burimeve nga shërbimet sekrete ruse, kërcënimet janë rritur pas sulmeve me dronë të Ukrainës në territorin rus vitin e kaluar.
Izolim i plotë dhe dalje të kufizuara
Putini po shfaqet gjithnjë e më rrallë në publik. Ai komunikon kryesisht përmes mesazheve të regjistruara dhe shmang çdo kontakt të drejtpërdrejtë me turmat. Takimet fizike janë të kufizuara vetëm me zyrtarë shumë të besuar dhe të përfshirë drejtpërdrejt në luftë.
Mbrojtje e shumëfishtë, raketa, bunkerë dhe “dhoma klon”
Siguria e presidentit nuk mbështetet vetëm te truprojat. Në rezidencat e tij janë vendosur mbi 27 sisteme kundërajrore Pantsir-S1, të afta të neutralizojnë avionë, raketa dhe dronë.
Gjithashtu, përdoren bunkerë të blinduar dhe pajisje moderne që bllokojnë sinjalet (jammers), duke parandaluar sulme me dronë apo përgjime.
Një tjetër metodë është edhe mashtrimi, të ashtuquajturat “dhoma bezhë”, zyra identike të vendosura në vende të ndryshme, që e bëjnë të pamundur përcaktimin e vendndodhjes reale të Putinit.
Ndërprerje komunikimesh në Moskë
Për shkak të masave të sigurisë, në disa zona të Moskës janë ndërprerë përkohësisht interneti dhe shërbimet telefonike. Kjo lidhet me përdorimin e pajisjeve që ndërhyjnë në sinjale për të bllokuar kontrollin e dronëve.
Kontroll i rreptë i stafit dhe ushqimit
Masat përfshijnë edhe kontroll të fortë të stafit. Punonjësit nuk lejohen të përdorin smartphone dhe monitorohen vazhdimisht. Ushqimi i presidentit kontrollohet në detaje për çdo rrezik biologjik apo kimik, madje edhe kur ai peshkon vetë.
Frikë apo paranojë?
Disa analistë perëndimorë i konsiderojnë këto masa si ekstreme si paranojë. Megjithatë, tensionet e luftës dhe incidentet e fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e alarmit në Kremlin.
Edhe pse nuk ka prova të qarta për tentativa konkrete atentati, autoritetet ruse duket se nuk janë të gatshme të marrin asnjë rrezik kur bëhet fjalë për sigurinë e presidentit.





