“Trazirat mund të shpërthejnë në SHBA”, Trump përdor situatën në Francë si argument kundër demokratëve

Nën ethet e zgjedhjeve të mes mandatit, ndonëse sondazhet nuk janë në favor të tij, Presidenti amerikan Donald Trump përdori trazirat e dhunshme në Francë si argument kundër demokratëve në betejën e tij për të mbrojtur një vend në Senatin e Kansasit që prej kohësh mbahej nga republikanët, por që rrezikon të biere në dorë të kundërshtarëve të tij politikë.
Trump përmendi protestat e përhapura në Francë si një skenar që mund të shpërthejë edhe në Shtetet e Bashkuara nëse republikanët nuk fitojnë.
“Kur shihni kulla që digjen dhe zjarre të tërbuara në Francë, mbani mend se kjo është ajo që demokratët radikalë duan t’i bëjnë Amerikës. Ata presin ta bëjnë këtë edhe tek ne. Europa dështoi sepse ishte e dobët dhe nuk arriti të kontrollonte kufijtë. Ne, përkundrazi, i kemi mbyllur kufijtë dhe kemi vendosur kontrollet më të forta në historinë e vendit tonë”, tha Trump.
Tubimi i Trump ishte përpjekja e tij e fundit në këtë shtetet konservatore ku kandidatët republikanë duket se janë në vështirësi për shkak të pakënaqësisë së votuesve në lidhje me luftën e Iranit dhe rritjen e madhe të çmimeve.
Ndërkohë, edhe vetë Donald Trump po përballet me pakënaqësi të forta në SHBA, në një klimë të polarizuar ku politikat e tij dhe vendimet e administratës kanë nxitur reagime e kundërshtime. Përplasjet e brendshme dhe protestat po e mbajnë të hapur debatin mbi drejtimin e vendit, ndërsa Trump po përdor zhvillimet në Europë për të mbrojtur kursin e tij politik dhe për të paralajmëruar amerikanët për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë politika e kundërshtarëve të tij nëse fitojnë.
Gjatë tubimit, Trump tha gjithashtu se Departamenti i Bujqësisë do të nisë atë që ai e quajti një “program të ri për lehtësimin e karburantit të korrjes” që do t’u ofrojë fermerëve 8 miliardë dollarë mbështetje për të kompensuar kostot e naftës gjatë sezonit të korrjes. Ai tha gse Meksika dhe SHBA-të ishin shumë afër arritjes së një marrëveshjeje “të shkëlqyer” tregtare.




