Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet në lokale dhe subjekte të ndryshme, duke zbuluar dy ambiente ku dyshohej se organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, u arrestua një administrator lokali, ndërsa një tjetër u procedua penalisht.
Në rastin e parë, në një lokal në rrugën “Sitki Çiço”, u arrestua 39-vjeçari E. H., i cili dyshohet se kishte përshtatur ambientin për organizimin e lojërave të fatit. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi edhe dy tavolina pokeri si prova materiale.
Në rastin tjetër, 55-vjeçari E. C. u procedua penalisht, pasi gjatë verifikimeve në lokalin që administronte u gjetën në celular aplikacione për baste sportive.
Policia njofton se kontrollet dhe hetimet për goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme do të vijojnë në të gjithë Tiranën, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





