Në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është zhvilluar këtë të enjte ceremonia e 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar.
Në këtë ceremoni morën pjesë President i Republikës Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, përfaqësues nga Shoqata e Veteranëve të Aviacionit, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut etj.
Presidenti Bajram Begaj gjatë fjalës së tij vlerësoi se transformimi i Forcës Ajrore nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e aleatëve duke theksuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Begaj: Plani i modernizimit të Forcës Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë, GBAD, ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë, plotësimi i sistemit të integruar të vëzhgimit ajror dhe transformimi i bazës si Bazë Taktike Ajrore e NATO-s janë investime me të cilat ne kemi hapur një kapitull të ri, një kapitull ku Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por është edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive.
/vizionplus.tv





