Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Storm 18” pas një periudhe hetimore 1-mujore.
Si rezultat i këtij operacioni është vënë në pranga një shtetase e cila kishte marrë me qira një ambient në lagjen nr. 1, Durrës, duke e përshtatur dhe shfrytëzuar për prostitucion.
Në pranga janë vënë gjithashtu edhe dy shtetase kolumbiane.
“Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases kolumbiane M. L., 26 vjeçe.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për ushtrim prostitucioni shtetaset A. G., 33 vjeçe dhe B. A., 26 vjeçe, të dyja shtetase kolumbiane.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni””, njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 pasaporta të shtetaseve të arrestuara, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 1 leje drejtimi dhe 3 celularë.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasja M. L., prej një muaji, kishte marrë një apartament me qira në lagjen nr. 1, Durrës, të cilin e kishte përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit nga dy shtetase të tjera kolumbiane.
Gjithashtu, kjo shtetase ka ushtruar edhe vetë aktivitetin e prostitucionit në këtë ambient./vizionplus.tv





