Pavarësisht pretendimeve te opozites për bllokim të negociatave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, në një intervistë për Vizion Plus, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se jane vendet anetare ato qe vleresojne standartet.
“E di që po bëhen diskutime ka bllokim, s’ka bllokim. Ka diskutime që po bëhen dhe kjo është normale. Siç e kam thënë dhe në një intervistë të kaluar, vendet anëtare po shikojnë raportet por gjithashtu edhe standartet që duhet të vihen për ti mbyllur këto kapituj. Dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi siç e dini, janë standartet ato që do të përcaktojnë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet”, tha Gonzato.
Gonzato thekson se të gjithë aktorët janë duke punuar për ta bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Diskutime të tilla mund të zgjasim me javë dhe më duhet të them që vendet anëtare po negociojnë, po diskutojnë, Komisioni Europian është aty për t’i ndihmuar ato. Ka vullnet të mirë dhe vendosmëri për të ecur përpara dhe kjo është ajo ç’ka ne duam. Duhet të jemi rigoroz pasi këto janë reforma që i vijnë në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë, ky është thelbi”, shtoi Gonzato.
Shqipëria deri në këtë moment ka hapur të gjithë grupkapitujt, ndërsa pritet raporti i piketave të ndërmjetme nga Brukseli.





