Një operacion i zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Tiranë ka çuar në zbulimin e një skeme vjedhjeje që dyshohet se ka zgjatur për tre vite me radhë.
Sipas policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Inventari”, u arrestuan dy magazinierë të një subjekti në fushën e prodhimit dhe tregtimit të kafesë, shtetasit Altin Kenga., 35 vjeç dhe Vasilika Kazo, 29 vjeçe. Ndërkohë, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, me detyrë shpërndarës.
Hetimet nisën pas kallëzimit të administratores së subjektit, e cila kishte konstatuar mungesën e një sasie të konsiderueshme produkti në magazinë.
Nga verifikimet rezulton se tre të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke shpërdoruar detyrën, kanë vjedhur rreth 40 mijë kilogramë kafe përgjatë tre viteve. Dyshohet se nga shitja e saj kanë përfituar rreth 800 mijë euro.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
/vizionplus.tv





