Izeti është një nga nxënësit e huaj që ndjek mësimin në shkollën 9 vjeçare “Vace Zela” në kryeqytet. I ardhur nga Turqia, ai tregon se Shqipëria i ka ofruar një ambient shumë miqësor.
“Kam filluar në klasë të tretë por shokët e mi ishin shumë të mirë, donin të më ndihmonin por prapë nuk dija shqipen. Fillova nga e para në klasë të parë,mësova shqipen dhe erdha në klasë të pestë. I pëlqej më shumë njerëzit e Shqipërisë se sa të Turqisë. Po mos të kuptojnë që Turqia është shumë keq se edhe Turqinë e kam në zemër. Kur mëson gjuhën shqipe është shumë e lehtë. Në ditët kur nuk kam mësuar falënderoj mamin dhe babin që besuan të unë që të mësoj këtë gjuhë”, tha Izzet Akin, nxënës nga Turqia.
Izeti pëlqen shumë gatimet shqiptare, megjithatë ka diçka që i mungon më shumë nga Turqia.
“Këtu byreku është më i mirë se në Turqi sepse ka lloj lloj byrekësh të tjerë, në Turqi ka vetëm byrek me spinaq. Më shumë më pëlqen byreku me salçiçe. Më merr shumë malli, për qoftet e nënës time, më merr shumë malli”, shtoi Izeti.
Edhe mamaja e tij, pohon se jeta në Shqipëri i ka dhënë më shumë qetësi familjes së saj.
“Prej katër vitesh jemi këtu. Edhe Turqinë e dua shumë, por që kur kam ardhur këtu jam më e qetë, më e lumtur. Më parë kemi jetuar në Durrës, edhe atë qytet e kam dashur shumë, por Tirana më duket më e gjallë, më e këndshme”, deklaroi Hatixhe Akin, amaja e Izetit.
Në të njëjtën shkollë, edhe Ahmedi, me origjinë nga Siria, ndihet plotësisht i integruar. I lindur dhe rritur në Shqipëri, ai e konsideron vendin si shtëpinë e tij.
“Kam lindur këtu, kam jetuar gjithë jetën këtu. Shqipëria është shumë e bukur edhe njerëzit janë të mirë, kuptojnë njëri-tjetrin. Më pëlqen sepse është një gjuhë e bukur dhe Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe të bën të jesh i lumtur”, tha Ahmed, nxënës nga Siria.
Pas tij, është nëna që tregon historinë e sakrificës dhe zgjedhjeve të familjes së tyre për një jetë më të mirë.
“Ne kemi 15 vjet që jetojmë në Shqipëri. Ne vendosëm të vijmë këtu sepse burri im punon këtu prej 28 vitesh. Është vend i bukur i qetë, natyra është shumë e bukur, e ngjashme me natyrën në Siri. Kam dy vëllezër që kanë vdekur në luftë dhe çdo familje në Siri ka njerëz ose e gjithë familja mund të ketë vdekur në Siri. Shumë vështirë tani situata është më mirë por shpresojmë të bëhet vendi më i bukur”, tha Laila Alkhouli, mamaja e Ahmedit.
Në fund është Mira, një tjetër nxënëse e ardhur nga Turqia, e cila po përshtatet me gjuhën dhe jetën në Shqipëri.
“Unë kam ardhur nga Turqia, por mami dhe babin i kam me origjinë nga Shqipëria. U bënë dy vite që kemi ardhur këtu. Shqipëria më duket vend shumë i bukur dhe njerëzit janë shumë të ëmbël dhe të mirë. Disa shkronja janë të njëjta me ato të turqishtes por lexohen ndryshe dhe unë i ngatërroj”, u shpreh Miray Istekli, nxënëse nga Turqia.
Deri në fund të vitit 2025, sipas regjistrit elektronik për të huajt, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 27,514 banorë. Nga këta, të ardhur nga Turqia ishin 1,862 persona.





