Kryetari i PD, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar procesin e negociatave me votën kundër kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Sipas Berishës, raporti i piketave të ndërmjetme, i njohur me emrin IBAR, është bllokuar nga vendet anëtare pasi mazhoranca rrëzoi SPAK-un.
“BE foli. Nuk mbyllet asnjë kapitull pa votimin e IBAR, dhe IBAR nuk votohet pa arritur standardet e kërkuara. Bllokimi i IBAR do të thotë bllokim i mbylljes së çdo kapitulli. Dhe kjo po vjen kryekëput nga bllokimi që i bëri Edi Rama arrestimit të Lubi Ballukut për të mbrojtur veten e tij.”
Berisha deklaroi se takimet e organizuara nga kryeministri Rama nuk e ndryshojnë realitetin.
“Edi Rama të organizojë tryeza dhe stërtryeza, asnjë kapitull nuk mbyllet pa votimin unanim, pozitiv për IBAR-in. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të brendshme dhe kur vijnë nga jashtë, janë lobime korruptive të Edi Ramës. Cilido që mendon ndryshe, le të studiojë pak historikun e BE-së.”
Berisha komentoi edhe emërimin e drejtorit të ri në krye të Policisë së Shtetit.
“U emërua Skënder Balluku, ky është një pinjoll i Lubisë, si Karakaçi e stërKarakaçi. Lubizimi nuk është asgjë tjetër veç se lubizimi i organizatës kriminale.”
Berisha mblodhi sot edhe drejtues politikë dhe koordinatorët për të diskutuar procesin e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.
/vizionplus.tv





