Pretendimet e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç se aleanca ushtarake mes Shqipërisë-Kosovës dhe Kroacisë rrezikon Serbinë për qeverinë shqiptare nuk qëndrojnë.
Në një dalje për mediat, Ministri i mbrojtjes Ermal Nufi u shpreh se nuk ka vend për panik lidhur me stërvitjen e forcave të armatosura serbe në kufi të Kosovës.
“Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR. Shqetësimet që mund të perceptohen përmes mediave, publikimeve apo replikave në rajon, në Shqipëri përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët; kjo na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat tona kundrejt Aleancës”, tha ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi.
Më herët, Vuçiç u shpreh se aleanca ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, drejtohet kundër Serbisë duke paralajmëruar sulm nëse kërcënohen kufijtë./vizionplus.tv





