Në Tajlandë organizohet për të dytin vit radhazi festivali i pazakontë Death Fest, i cili synon të sjellë në vëmendje një temë që për shumë njerëz mbetet e vështirë për t’u diskutuar: vdekjen. Aktiviteti u zhvillua për tre ditë në provincën Nonthaburi, pranë Bangkok, dhe kombinon reflektimin filozofik me këshilla praktike për fundin e jetës.
I frymëzuar nga Budizëm, festivali bazohet në idenë se jeta lidhet me katër përvoja themelore: lindjen, plakjen, sëmundjen dhe vdekjen. Pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime dhe aktivitete që synojnë jo vetëm përgatitjen për vdekjen, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës deri në momentet e fundit.
Në aktivitet morën pjesë ekspertë nga fusha të ndryshme, si shëndetësia, kujdesi paliativ, planifikimi financiar dhe shërbimet funerale. Një nga atraksionet më të veçanta ishte “Test Die”, ku vizitorët shtriheshin në arkivole për të reflektuar mbi fundin e jetës, në një eksperiencë që synon më shumë ndërgjegjësim sesa frikë.
Festivali prezantoi gjithashtu ide inovative, si arkivole ekologjike të prodhuara nga miceli i kërpudhave, që ndihmojnë në dekompozimin natyror të trupit. Paralelisht, u promovuan edhe platforma digjitale që ruajnë kujtimet e të ndjerëve, duke krijuar hapësira virtuale për të ndarë histori dhe për të nderuar jetën e tyre.
Organizatorët theksojnë se qëllimi kryesor i këtij eventi është të ndryshojë mënyrën se si njerëzit e perceptojnë vdekjen. Sipas tyre, reflektimi mbi fundin e jetës i ndihmon individët të jetojnë më ndërgjegjshëm dhe të përgatiten më mirë, jo vetëm për veten, por edhe për ata që lënë pas.





