Ndryshimet e reformës zgjedhore duhet të miratohen brenda qershorit të këtij viti.
Kryetari i KQZ Ilirian Celibashi, theksoi se komisioni i posaçëm parlamentar duhet të adresojë të gjitha problematikat e evidentuara shpejt, në mënyrë që në zgjedhjet vendore të 2027-ës ato të mos përsëriten.
“Rekomandimet e vazhdueshme të OSBE/ODIHR kanë theksuar rëndësinë e zhvillimit të reformave zgjedhore përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, të bazuar në konsultim të gjerë me aktorët institucionalë dhe me shoqërinë civile. KQZ ka bindjen se një koordinim i tillë ndërinstitucional mund të kontribuojë në trajtimin më efektiv të rasteve që lidhen me shkeljet në procesin zgjedhor dhe rrjedhimisht në forcimin e integritetit të zgjedhjeve”, tha Celibashi.
Pjesë e tryezës ishin dhe përfaqësues të partive politike, të cilët vunë theksin tek produkti gjithpërfshirës dhe dialogu politik.
“Nuk mund të jetë më reformë e njëanshme”, u shpreh deputeti i PD Ivi Kaso.
“Do të diskutohen në tryezë të gjithë rekomandimet politike dhe adresimet e ndërkombëtarëve”, tha Elena Xhina, përfaqësuese juridike e PS.
Diskutimet për reformën zgjedhore në kuvend kanë nisur në nëntor të vitit që lamë pas ndërsa anëtarët e opozitës dhe mazhorancës janë shprehur se ndryshimet do të miratohen brenda afateve në mënyrë që të implementohen për zgjedhjet vendore të vitit që vjen./vizionplus.tv





