Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe 6 ministrat e rinj u betuan këtë të premte para Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Ne ambientet e Pallatit të Brigadave u betuan mbi Kushtetutë dhe morën zyrtarisht detyrën: zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.
Menjëherë pas ceremonisë së betimit, ministrat e rinj shkuan në Kryeministri për të marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri Edi Rama vendosi të ndryshojë për herë të parë qeverinë e mandatit të katërt më 26 shkurt.
Rama largoi nga qeveria zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ministren e Jashtme Elisa Spiropali dhe ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu.
Ndryshimet u realizuan vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese dështoi të merrte një vendim për ankimimin e kryeministrit Edi Rama dhe, rrjedhimisht, la në fuqi masën e pezullimit nga detyra të ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.





