Eksperti i sigurisë Dritan Goxha tha në studion e QUO VADIS se sjelljet e ashpra dhe përplasjet në politikë janë të qëllimshme për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit publik.
Sipas tij, politika po përdor konfliktin dhe spektaklin për të dominuar hapësirën mediatike.
Goxhaj theksoi se kjo situatë i ngjan praktikave të lashta, ku publikut i ofrohej “cirk” për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale.
Ndërkohë eksperti i sigurisë Faik Basha theksoi se përplasjet në parlament nuk janë një fenomen vetëm shqiptar, pasi sipas tij institucione të tilla pasqyrojnë shpesh tensionet dhe zhvillimet e vetë shoqërisë.
Sipas Bashës, një nga problemet kryesore të politikës shqiptare lidhet me mungesën e reformimit të ligjit për partitë politike.
Pjesë nga biseda:
Goxhaj: Deputetët e bëjnë të qëllimshme atë kaosin në Kuvend. Që atyre t’u mbetet vëmendja në media me atë rrugaçërinë e tyre. Edhe ne sot këtu po merremi me ta. Jemi kthyer në kohën e Romës, ku ofrohej cirk. Ata shesin cirk, sepse njerëzit duan cirk. Ata kanë marrë peng këtë vend, kanë marrë peng qytetarët. Dhe kur i ke marrë peng qytetarët, nuk ka si të reagojë qytetari.
Basha: Parlamenti, jo vetëm në Shqipëri por kudo, ka pasur rrahje e kaos. Parlamenti i ka të gjitha etapat e një shoqërie brenda. Mundohen të jenë intelektualë, por vjen një moment dhe e nxjerrin edhe atë origjinën nga vijnë. Balla kërkoi ndjesë edhe për atë fjalë që përdori. Çdo vit ndryshohen ligjet në Parlamentin shqiptar. Nuk kam parë të ndryshojë ndonjëherë ligji për partitë politike. Po ai nuk paska pak nevojë për rishikim? E vetmja gjë që duhet të ndryshojë në Shqipëri është ligji për partitë politike.
/vizionplus.tv





