Në ditën e pestë të deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-krerëve të UCK-së në Hagë, avokati i Rexhep Selimit deklaroi se prokuroria speciale i është referuar në akuzat e saj, disa dokumenteve pa datë dhe të panënshkruara.
“Mungesa e dokumenteve është një lloj dëshmie që nuk ekzistonte një strukturë e mirëorganizuar e Rendit Publik… mendojeni për një çast sa i rëndësishëm do të ishte roli i shefit operativ të policisë së një vendi, edhe në një situatë jashtë konfliktit në Kosovë. Kjo do të ishte një detyrë herkuliane. Minimalisht do të kishim pritur të shihnim urdhra, udhëzime që të buronin prej këtij komandanti operativ drejtuar vartësve, por s’kemi parë asnjë të tillë. Asnjë shembull të ndonjë urdhri, një udhëzimi, në asnjë moment, në asnjë zonë të Kosovës nuk është lëshuar asnjë dokument, as nga zoti Selimi, dhe as në emër të zotit Selimi”, tha Eric Tully, avokat i Rexhep Selimit
Avokati tjetër i Selimit deklaroi se në UÇK nuk kishte structurë komanduese.
“Shumë ushtarë të UÇK-së, përfshirë komandantët, nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre. Nuk kishte strukturë me zinxhir komandues”, u shpreh Chad Mair, avokat i Rexhep Selimit
Një tjetër përfaqësuese ligjore e Selimit u shpreh se provat nuk tregojnë se Selimi ka kryer krime.
“Nuk e mjaftueshme që të thuhet se ka pasur dhunë, paraburgosje që në një shoqëri pas konfliktit trauma është e gjerë. Asnjë nga këto nuk tregon se Selimi ka kryer krime, apo ka urdhëruar ato, ka kontribuar në to apo ka pasur njohuri apo kontroll efketiv që të bëjë përgjegjësi komanduese”, deklaroi Furtuna Sheremeti, avokate e Rexhep Selimit
Avokati kryesor i Selimit, Geoffrey Roberts, e mori në fund fjalën për të përmbyllur deklaratat e mbrojtjes. Ai tha se trupi gjykues do të arrijë në përfundimin që klienti i tij është i pafajshëm nëse shikon tërësinë e provave.
“Selimi nuk ka qenë komandant. Nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore në asnjë mënyrë dhe asnjë formë. Këtu përfshihet edhe autoriteti i pretenduar se Selimi ka qenë anëtar i këtyre strukturave pavarësisht se ai që në fillim ka qenë një anëtar i njohur i UÇK-së”, tha avokati kryesor i Rexhep Selimit Geoffrey Roberts.
Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat ata janë deklaruar të pafajshëm./vizionplus.tv





