Vrasja e një gruaje 37-vjeçare nga një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Mineapolis ka shkaktuar reagime të forta politike dhe shoqërore në SHBA. Ngjarja ka thelluar përplasjet mes administratës Trump dhe autoriteteve lokale, të cilat kundërshtojnë versionin zyrtar të vetëmbrojtjes dhe flasin për përdorim të tepruar të forcës nga agjentët federalë.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, gruaja tentoi të godiste me makinë agjentët e ICE, ndërsa video të publikuara në media dhe rrjete sociale tregojnë momentin kur agjentët i afrohen automjetit, kërkojnë që drejtuesja të dalë jashtë dhe më pas hapin zjarr teksa makina lëviz. Pas të shtënave, automjeti u përplas me një makinë të parkuar. Dëgjohen gjithashtu thirrje dhe akuza nga dëshmitarë në vendngjarje.
Here’s the best angle of the ICE shooting in Minneapolis. Absolutely unnecessary. The victim is reported to be a legal observer and U.S. citizen. pic.twitter.com/mbq1bYwW9U
— Houtan Yaghmai, Esq. (@houtan_esq) January 7, 2026
Viktima u identifikua si Rene Nicole MacLean Good, nënë e tre fëmijëve, shtetase amerikane pa precedentë penalë. Sipas deputetes demokrate Ilhan Omar, gruaja ishte “vëzhguese ligjore” e aktiviteteve të ICE, çka ka shtuar dyshimet dhe tensionet rreth rrethanave të ngjarjes. Hetimet po kryhen nga FBI dhe autoritetet kriminalistike të Minesotës.
Presidenti Donald Trump mbrojti veprimet e agjentëve, duke e cilësuar drejtuesen e mjetit si “të pabindur” dhe duke fajësuar “të Majtën Radikale” për nxitje të dhunës ndaj forcave të rendit. Në një deklaratë publike, ai tha se agjenti veproi në vetëmbrojtje dhe bëri thirrje për mbështetje të plotë ndaj zbatuesve të ligjit.
Guvernatori i Minesotës dhe kryetari i bashkisë së Mineapolisit reaguan ashpër, duke e quajtur incidentin pasojë të politikave që “krijojnë frikë dhe kaos”. Kryebashkiaku Jacob Frey kërkoi largimin e agjentëve të ICE nga qyteti, duke theksuar se prania e tyre përshkallëzon tensionet dhe dëmton komunitetet lokale, ndërsa kërkoi një hetim të plotë dhe të pavarur për zbardhjen e ngjarjes.
/vizionplus.tv





