Në gatishmëri të plotë do të jetë policia natën e ndërrimit të viteve, për të garantuar rend dhe siguri.
Pjesën me të madhe të planit të masave e mban kryeqyteti ku do të ketë një numër më të madh të efektivëve për shkak të aktiviteteve që priten të zhvillohen në kuadër të festimeve që janë parashikuar sidomos në mesnatë.
Në gatishmëri do të jenë të gjitha komisariatet, por ndërkohë janë përfshirë në planin e masave jo vetëm efektivët e rendit, por dhe strukturat e tjera policore, agjentët e krimeve, si forcat Shqiponja dhe ato specialet.
Fokusi do të jetë “Sheshi Skenderbej”, zona e ish-Bllokut si dhe zonat e tjera që frekuentohen nga jeta e natës.
Në planin e masave janë parashikuar gjithashtu edhe vendosja e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimi i patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë.
Qarkullimi rrugor është një tjetër sektor në gatishmëri ku janë intensifikuar masat për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane.
Kontrollet e rrepta të rrugores bëhen me qëllim për parandalimin e aksidenteve, pasi kryesisht të rinjtë abuzojnë me alkoolin sidomos këtë natë.
Ndërkohë vijojnë gjithashtu kontrollet për sekuestrimin e lëndëve piroteknike, pasi nuk lejohet shitja e tyre për shkak të rrezikut si pasojë e keqpërdorimit të tyre.
Në gatishmëri gjithashut këto ditë kanë qënë edhe policitë kufitare, sidomos Rinasi që mban peshën me të madhe të hyrje-daljeve në vend. Gjatë dhjetorit ka patur një fluks në rritje të fluturimeve dhe të qytetarëve shqiptare e të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të kaluar festat e fundvitit.





