Parku i ri “Kengo Art”, i cili po ndërtohet në Petrelë do të jetë gati në vitin 2026 për vizitorët dhe për artistët të cilët duan të ekspozojnë veprat e tyre.
Kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin e punimeve, ku tashmë godinat a vjetra do të tjetërsohen në një hapësirë për qytetarët.
“Punimet paskan ecur në krahasim me herën tjetër”, tha Rama.
Detajet e kësaj strukture të re u dhanë nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, i cili i shpjegoi kreut të qeverisë se projekti shtrihet në dy zona kryesore.
“Zona e parë është kjo, këtu zonat në dy zona matanë. Ka mbaruar pjesa e përforcimit, që është bërë komplet nga e para. Këto kanë qenë godina të rrënuara dhe kanë filluar pjesët e rifiniturave të brendshme dhe pjesa e suvatimeve të brendshme, që do të jetë me suva akustike dhe kundër lagështirës, por që janë të veçanta për këto lloj funksionesh”, u shpreh Dritan Agolli, drejtor i FSHZH.
Ndonëse i gjithë parku është 32 mijë metra katrorë, sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 7 mijë e 400 metra katrorë, duke u bërë një nga hapësirat e ekspozimit më të madh të artit në Tiranë./vizionplus.tv





