Për të gjitha nënat të cilat kujdesen për fëmijët e tyre që janë me spektrin autik apo sindromën Down, duhet të njihet zyrtarisht si punë e papaguar.
Kjo është nisma ligjore që deputetja e PD Jorida Tabaku ka dorëzuar në Kuvend.
Në një postim në rrjetin social, Tabaku shprehet se gjatë vitit të fundit ka takuar dhjetëra familje “të jashtëzakonshme”, të cilat luftojnë çdo ditë për të ofruar siguri, edukim dhe stabilitet për fëmijët e tyre.
Shumë nëna, tha ajo, kanë lënë punën dhe karrierën për t’iu përkushtuar 24 orë në ditë fëmijëve që kanë nevojë të veçantë.
“Kjo është punë e papaguar. Është sakrificë, është përgjegjësi, është dashuri. Por është edhe një standard europian dhe njerëzor që shteti duhet ta njohë,” theksoi Tabaku.
Sipas saj, nisma ligjore synon që ky angazhim i nënave të njihet si kontribut real, duke u mundësuar mbështetje të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Tabaku argumentoi se kostoja për buxhetin është minimale dhe krejtësisht e përballueshme, sidomos në krahasim me shpenzimet e projekteve të tjera publike që nuk kanë impakt të qartë social.
“Nuk është koncesion, nuk është partneritet publik-privat, nuk është kosto e jashtëzakonshme. Është një mbështetje modeste, por thelbësore për mijëra familje që jetojnë në kushte të vështira ekonomike,” nënvizoi deputetja.
Tabaku i bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve dhe familjeve të përfshihen në këtë proces duke dhënë sugjerime për ta pasuruar nismën dhe për t’i dhënë zë atyre që kanë më shumë nevojë.
Në fund, ajo shprehu besimin se Kuvendi do ta trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi këtë çështje./vizionplus.tv





