Lëvizja Vetvendosje ka sulmuar kryeministrin Edi Rama , për të cilin tha se përpara se të marrë pjesë në protestën në mbështetje të UÇK, duhet të tregojë pendesë për qëndrimin pro Gjykatës Speciale në të kaluarën.
“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj gjykate”, thuhet në reagim.
Më tej Vetëvendosje theksoi se institucionet e Shqipërisë kanë mundësi ta ngrenë zërin për këtë çështje në forume ndërkombëtare.
“Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrenë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë”, vijon reagimi.
Ky reagim vjen në prag të protestës mbarëkombëtare të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./vizionplus.tv





