Kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai është vënë nën akuzë nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Bëhet fjalë për katër procedura tenderuese, vlera e të cilave sipas prokurorisë është fryrë në mënyrë që në fund të përfitohej nga kreu i bashkisë dhe gjashtë personat e tjerë të marrë të pandehur.
Tenderat lidheshin me ndërtimin e rrugës Korçë- Ersekë dhe të ujësjellësit të 13 fshatrave të Kolonjës dhe supervizimet respektive të secilit projekt.
Në dosjen e SPAK, janë zbardhur komunikimet e tij me Entela Çanon, administratoren e kompanisë “A&E Engineering”, që zbaton projektin me vlerë mbi 3.8 milionë lekë pa TVSH .
Nga komunikimet në Whatsapp vihet re se kryebashkiaku Erion Isai dhe Çano diskutojnë hapur për uljen e parametrave të ndërtimit të rrugës dhe shumat që duhej të paraqiteshin, duke treguar se procedura ishte orientuar paraprakisht në bashkëpunim mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese.
Erion Isai: Më duhet deri te premten lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat vëlla. Një zjarr të luteeeeem!
Entela Çano: Pa merak, do bëj të pamundurën që të premten t’i dorëzojmë.
Erion Isai: Je yll.
Entela Çano: Nesër paradite mendoj se mund të kemi diçka..po sforcohemi shumë për të arritur vlerën..230 me tvsh..jam e saktë? Ma konfirmo të lutem”.
Erion Isai: 330 është maх.
Kryetari i bashkisë së Kolonjës akuzohet se veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera e ka kryer në bashkëpunim me anëtarët e zbatimit të projektit dhe administratoren.
Hetimi nisi pas dy kallëzimeve, njëri në 2020 dhe tjetri në 2024, ndërsa nga dosja mësohet se po vijohet me verifikimin e një tjetër akuze, asaj të falsifikimit./vizionplus.tv





