Ferri i flakëve që ka mbërthyer brigjet e Mesdheut ka shkaktuar një bilanc të frikshëm viktimash në vetëm një ditë. 42 persona, mes tyre 25 ushtarë kanë humbur jetën në Algjeri, ndërsa përpiqeshin të shuanin zjarret në lindje të kryeqytetit Algjer.

Dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, disa prej tyre në gjendje kritike për jetën. Në mesin e temperaturave ekstrem të larta që i tejkaluan 46 gradë celcius, në Algjeri janë raportuar më shumë se 100 vatra zjarri që kanë nisur të përhapen pa kontroll, nga dita e djeshme.

Prej më shumë se një jave tashmë zjarret vijojnë të shkrumbojnë mijëra hektarë sipërfaqe edhe në vende të tjera Turqi, Greqi, Liban dhe Qipro.

Fqinji ynë jugor për të nëntën ditë me radhë vazhdon luftën me flakët ndërsa vatra të reja shpërthyen në gadishullin e Peloponezit. Në fshatin Avgaria, zjarrfikës grekë, serbë dhe sllovakë u përpoqën gjatë gjithë natës për të vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë ishulli i Evias mbetet i pashpresë edhe pse flota e zjarrfikësve është përforcuar me ndihmë nga disa shtete të Europës dhe Lindjes së Mesme. Banorët janë ankuar për ndërhyje të vonuar e cila shkaktoi një katastrofë natyrore në ishullin e dytë më të madh grek.

Më shumë se 500 janë aktivizuar në të gjithë Greqinë javën e fundit, duke detyruar evakuimin e dhjetëra fshatrave e mijëra njerëzve.

Organizata e kombeve të bashkuara në raportin për klimën pak ditë më parë, ngriti alarmin për aktivitetin e dëmshëm njerëzor, i cili duhet ndalur urgjentisht.

Sipas shkencëtarëve, toka tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë celsius që kur filloi epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimin e gazrave serë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *