Subscribe

Përballë qëndrimit të mazhorancës se buxheti për vitin e ardhshëm është më i madhi që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, opozita gjykon se përtej propagandës faktet tregojnë një realitet tjetër.

 

Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, vë në dukje se 3 miliardë euro në këtë buxhet vijnë për shkak të taksave që qeveria socialiste ka rritur prej ditës kur erdhi në pushtet.

 

JORIDA TABAKU

KYETARE E KOMISIONIT TE INTEGRIMIT

 

“Sigurisht propagandës nuk i shpëtojmë dot, nuk i shpëtuam as dje mes zhurmës e rrëmujës. Në fakt nëse buxheti sot është më i madh është si rezultat i rritjes së taksave me 3 miliardë euro në këto 10 vite. Dhe së dyti ky është vetëm parashikim, sepse buxheti i këtij viti i 2023 tregoi që qeveria është e paaftë që t’i mbledhë këto të ardhura së pari si rezultat i rritjes së informalitetit, si rezultat i rënies së konsumit, por së dyti edhe si rezultat i rritjes së korrupsionit dhe arrogancës.”

 

Kritikat më të forta të opozitës për këtë buxhet janë paratë që shkojnë për kontratat koncesionare, disa prej të cilave po hetohen edhe nga SPAK.

 

“Kontratat koncesionare të lidhura nga kjo qeveri janë sa 50% e produktit të brendshëm bruto. Fatura e koncesioneve vjetore shkon në pothuajse 145 milionë euro, rritur me 9% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ndërkohë që planifikohen edhe 6 projekte të tjera PPP të cilat janë në vijim. Shfaqet porti  i Porto Romanos, shfaqen projekte të reja shkollash këtu në bashkinë e Tiranës, të cilat janë abuzive . Dhe fatura totale e cila sot është në hetim nga SPAK-u të paktën për buxhetin vjetor të koncesioneve shkon pothuajse në 500 milionë euro, të cilat në një logjikë normale, në një qeveri normale se normalitet po kërkojmë, as nuk duhet të kishte diskutim që duhet të ishin pezulluar në momentin e parë, në momentin kur nis hetimi.”

 

Jorida Tabaku është një prej deputetëve të PD që mendon se kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore e komisionet hetimore janë të drejta, por ajo ndahet nga kolegët e tjerë në strategjinë e përzgjedhur, pasi për të buxheti nuk duhet të kalonte pa debat.

 

“Sigurisht që në parlament nuk mund të ketë normalitet dhe nuk ka pasur normalitet, por mendoj që ne duhet ti kishim ofruar qytetarëve mundësinë e transparencës për të dëgjuar në një debat ndoshta parlamentar, nëpër komisione se çfarë ndodh me buxhetin për vitin e ardhshëm.”

 

Pavarësisht qëndrimeve ndryshe që nuk mungojnë në kampin opozitar, edhe diskutimi e miratimi nen për nen i buxhetit pritet të kalojë pa debat për shkak të vendosmërisë së opozitës për të mos lejuar mbledhje normale të parlamentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *