Subscribe

Politikanë dhe drejtues të lartë shtetërore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, u mblodhën këtë të diele në Prizren, në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

Në oborrin e shtëpisë së takimit historik, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Ilir Meta dhe përfaqësues së familjes Jashari, vendosën gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes.

 

Më pas u mbajt edhe një seancë solemne në përkujtim të 140 vjetorit të kësaj dite të shënuar në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

Seanca nisi nën himnin kombëtar.

 

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u shpreh se “pa këtë Lidhje, shqiptarët nuk do të kishin as 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovë.s”

 

“Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore – Lidhja e Prizrenit. 140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare…pa këtë Lidhje, shqiptarët nuk do të kishin as 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës …”

 

 Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi rëndësinë e proceseve që do ta bëjnë vendin të ecë i sigurt drejt të ardhmes, por edhe për dialogun me Serbinë që duhet të përfundojë me njohjen reciproke të të dy vendeve.

 

 “Për t’u përmbyllë lufta e vitit 1999 mes Kosovës dhe Serbisë, luftë që i ka lënë Kosovës shumë plagë, e vetmja mënyrë është pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve. Pajtimi duhet të vijë me njohje dhe pa pazare të ndyta tjera në dëm të shqiptarëve, përndryshe shqiptarëve nuk u mbetet rrugë tjetër përveç krijimit të një vlere te re”.

 

140 vjet më parë, më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren u takuan 300 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallime fetare, me qëllim hedhjen e bazave të kombit shqiptar, pasi Traktati i Shën Stefanit i nënshkruar mes Rusisë dhe Turqisë, nuk e njihte ekzistencën e Shqipërisë, territori i së cilës ishte i ndarë mes shteteve fituese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *