Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me fushatën elektorale të zhvilluar nga Partia Socialiste për zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

Cili është kuptimi i sloganit tuaj “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”?

 

“Këto vite tranzicion, qartazi janë përballur disa parti politike, por teksa kanë kaluar një pjesë e madhe e tranzicionit, 32 vite, sot përballen dy mendësi më shumë se sa dy logo. Një parti që është e përçarë, një parti komplet “non-grata”, një parti që ka bërë aleancë një ish agjenti i Sigurimit të Shtetit me një person “non-grata”, të përcaktuar nga SHBA për korrupsion dhe për minim të demokracisë dhe nga ana tjetër kemi disa administratorë, disa skuadra administratorësh të qyteteve që janë fokusuar tek çerdhet, tek kopshtet, tek shkollat dhe madje e gjithë fushata jonë më shumë se sa të mbjelli ata debatin tipik që ndodh në fushata do të mbjelli mirëkuptim, më shumë se sa nostalgjia për ato fushatat e vjetra ku i gjithë qyteti mbushej me postera e me banderola dhe për një kryetar bashkie, dita pas zgjedhjeve nuk ishte ditë gëzimi, por ishte një ditë pune sfilitëse për të pastruar qytetin. Sido që të shkojë vendimi i qytetarëve për ditën e votimeve, ajo që ka rëndësi është që të gjithë palët do fitojnë. Fushata jonë, të paktën, PS do ketë lënë më shumë pemë, më shumë gjelbërim dhe më pak ndasi. Aty ku disa kanë zgjedhur të mbjellin sherr dhe hallet e tyre të ia kalojnë gjithë publikut, ne duam që hallet e të gjithë publikut të gjejnë zgjidhje përmes propozimeve tona, përfshirë dhe shqetësimet për mjedisin, mbetjeve që ngeleshin nga një fushatë e kushtueshme dhe e pa nevojshme për publicitet, banderola. Njerëzit e dinë se kush janë aktorët, kështu që më shumë do të shohim në mënyrë dixhitale prezantime dhe më pak me shpenzime të pajustifikueshme, si ajo që pamë në stadiumin kombëtar, ku Sali Berisha kishte më shumë kandidatë se spektatorë”, tha ai.

 

Keni thënë që fushata do të ketë më shumë mbjellje pemësh se shpenzime banderolash, por sot opozita e ka nënvizuar këtë, Tirana është gdhirë e mbuluar nga postera, ku sipas tyre nxitet gjuha e urrejtjes për kundërshtarët politikë?

 

“Së pari, ne nuk kemi ngjitur asnjë poster nëpër mure. Tabelat e reklamave janë i vetmi vend i certifikuar nga bashkia për të prezantuar ide vizuale, në një format 2D. Më rezulton nga llogaria që pashë kemi 1 në 20 tabela, kjo do të thotë se 19 në 20 tabela janë rezervuar për kolegët e opozitës. Nëse ata kanë siklet, sicc kanë siklet me fletën e votimit që nuk dinë emrin dhe fytyrën e kujt të vënë, ky nuk është një problem i yni. Për sa kohë një parti apo një forcë do të marrë frenat e bashkisë dhe akoma nuk e ka ndarë mendjen emrin e kujt do të vërë në fletë votimi, me shumë gjasa nuk kanë as fytyrën e kujt të vënë për kandidatë. Ne e dimë fare mirë, me vajtjen e Sali Berishës në dyert e Bashkisë së Tiranë, duke hapur luftë institucionit  dhe duke u betuar se do e rimarrin, a thua se ajo është një kullë që duhet pushtuar me hordhi dhe jo ndërtesë ku i shërbehet qytetarëve, ne kuptuam se kandidati real i këtyre zgjedhjeve për bashkinë është Sali Berisha. Ai kërkon vota me të cilat t’i tregoj SHBA dhe BE se vetëm ai mund të mbajë paqe në këtë vend, ndërkohë që ne kemi provuar se vendi ecën përpara dhe kur Saliu ka ecur vetëm në stadium dhe kur disa veta kanë ngelur në autobuz”, tha Veliaj.

 

Cilat janë arritjet e Bashkisë Tiranë?

 

“Unë besoj se çerdhet dhe kopshtet e Tiranës janë absolutisht arritja jonë më e madhe. Çerdhet dhe kopshtet e Tiranës sot janë të kërkuara 11 herë për një vend. Sot subvencionohet nga bashkia në raportet 7 me 1. Për çdo një lekë që paguhet nga prindërit, shtatë janë të bashkisë. Edhe unë besoj që kushdo që i pare, ka një histori suksesi.

 

Sot lista e shkollave të Tiranës është vërtetë gjerdani ynë i krenarisë. Ka ende një lot të fundit për të bërë janë dy shkollat në Astir, janë dy shkolla te Liqeni i Thatë, dhe dy shkolla në Sauk. Kush ka bërë 40 shkolla i bën edhe këto të fundit. Ndërkohë që ata që nuk ndërtuan një shkollë është më e vështirë. Sot Tirana ka një shesh që ka fituar hapësirën më të bukur urbane për Europën në vitin 2018, një vit më pas fitoi çmim, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës është kthyer në super atraksion. Shtëpia Kadare dhe shtëpia e Dritëro Agollit po ashtu.

 

Piramida nga një institucion ose nga një hapësirë për izolimin do të jetë hapësira më e madhe drejt hapjes, ndaj punëve të reja siç janë punët digjitale dhe të një prone totalisht të transformuar në zemër të Tiranës e dedikuar për të rinjtë dhe të ardhmen, jo një muze për të kaluarën. Ajo që do të bëhet me parkun të Farkës ku do të hapet një hapësirë e re, ku praktikisht do të kemi dy polmonde të mushkërive të Tiranës, parku i Liqenit të Tiranës dhe parku i Liqenit të Farkës, hapja e tregut Agro-Ushqimor për të thyer monopolin e shumicës private dhe për të ulur çmimet për qytetarët. Fillimi i punëve për kopshtin Botanik siç bëmë me kopshtin Zoologjik”, shtoi Veliaj.

 

Cila është lista e dështimeve të Erion Veliajt?

 

“Unë besoj që ne kemi humbur shumë kohë dhe nëse besoj se ka një mëkat të cilin e kam bërë dhe jam fajtor është humbja e kohës në disa projekte që mund të kishin ecur më shpejtë. Ne pritëm shumë, tre vjet për te Astiri. Po të jetë për kundërshtarët tanë që s’kanë bërë asnjë punë, ata mund të rrinë dhe 30 vjet ta diskutojnë. Ne pritëm shumë për teatrin, kemi humbur shumë kohë, kshuqë një që që nuk i fal vetes dhe do mundohem ta rikuperoj në mandatin e radhës është që kur merret një vendim në demokraci ne duhet ta degjojmë njëri-tjetrin, biem dakord që nuk biem dakord, nëse shumica ka votuar dike që bën teatër të ri, shkolla të reja, përfundon gjithë Unazën, tani dhe pjesën nga Tufina deri tek “Shqiponja” që është pjesa veriore e Unazës, ne thjesht duhet të ecim përpara” theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *