Nga qyteti i Fierit, presidenti Ilir Meta ftoi qytetarët që ende nuk kanë votuar, t’i drejtohen qendrave të votimit orët e mbetura.

 

Ndërsa e cilësoi zhvillimin e procesit të votimit të mrekullueshëm, kreu i shtetit tha se pjesëmarrja e lartë tregon se qytetarët janë të përgjegjshëm për votën e tyre.

 

Mbarëvajtja e procesit në këtë mënyrë, shtoi Meta, do të jetë kontribut për hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE.

 

“Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Fierit për pjesëmarrjen e mrekullueshme, por edhe për gjithë ecurinë e shkëlqyer të ditës së sotme këtu. Për fat të mirë, kjo po ndodh kudo në gjithë vendin. Është një nga ditët e të mrekullueshme të vendit tonë, pasi është dita kur jo vetëm të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të tregojnë besimin që kanë te demokracia, besimin që kanë në vetvete për të qenë pjesë e kontributit të tyre për legjitimitetin e komisioneve të reja, por edhe duke treguar një mirëkuptim e bashkëjetesë demokratike, që duhet të vazhdojë deri në fund të procesit të votimit, dhe më pas edhe në administrimin e gjithë këtij procesi, sa i takon numërimit. I ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që nuk kanë votuar, por edhe ata që kanë angazhime të tjera dhe nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë deri në fund, të rikthehen, të japin votën e tyre. Zgjedhjet po ecin për mrekulli. Një pjesëmarrje sa më e lartë tregon se jemi të përgjegjshëm. Është moment historik.”

 

Sa i përket raportit të Metës me SHBA-të, duke iu referuara përplasjeve në distancë ditët e fundit me ambasadoren Yuri Kim, kreu i shtetit tha: “Marrëdhëniet e Metës me SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten të shkëlqyera. SHBA-të janë gjithmonë me popullin e Shqipërisë dhe populli do të tregojë se beson tek demokracia.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *